Rrjeti i Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore i bënë thirrje institucioneve të vendit të dënojnë autorët e dhunës së ushtruar ndaj vajzës Xhisiela Malokut.
Përmes një dekrate për shtyp drejtuar Kryetarit të Kuvendi Ruçi, Ministres së Drejtësisë Etilda Gjoni, Ministres së Shëndetësisë Olgerta Manastirliu, Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, Rrjeti i Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore shkruan se:
“Në këtë rast, nuk ka funksionuar sistemi shtetëror për mbrojtjen nga dhuna të grave e vajzave”.
Ato i bëjnë thirrje:
Organeve të policisë, prokurorisë si dhe gjykata [..] të procedojnë e ndëshkojnë dhunuesit, pavarësisht nëse autorët e veprave penale janë të veshur me funksione zyrtare ose ushtrojnë autoritet publik.
Kuvendit, […] të ushtrojë të gjitha mjetet e kontrollit parlamentar, me anë të komisioneve parlamentare përgjegjëse apo strukturave të tjera parlamentare që ndjekin çështjet e barazisë gjinore, mbi veprimet e ndërmarra nga organet përgjegjëse në lidhje me këtë rast.
Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore të thërrasë sa më parë mbledhjen e radhës, për të shqyrtuar rastin dhe për të vendosur marrjen e masave të nevojshme, sipas përgjegjësive institucionale, për sa më sipër.
Organizatat anëtare të Rrjetit të Monitorimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore shprehin “gatishmërinë për të vazhduar reagimin e tyre në mbështetje të viktimave të dhunës me bazë gjinore, deri në momentin që dhunuesit të përballen me përgjegjësinë penale dhe të marrin ndëshkimin e merituar sipas ligjit”.
Gjithashtu, në deklaratë shkruhet se :
“[N]ë dispozicion të plotë të vajzës Xh.M. për mbështetje përmes shërbimeve që ofrojmë. E ftojmë të na kontaktojë në numrat e telefonit të Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza 116117 dhe (04)2233408. Ne do t’i ofrojmë të gjitha shërbimet one stop shop, duke bashkëvepruar në rrjet”.