Opozita proteston kundër qeverisë

Partia Demokratike zhvilloi, sot, një protestë kundër qeverisë, e cila zgjati më shumë se katër orë. Qindra mbështetës të saj u mblodhën përpara godinës së Kuvendit për të kërkuar largimin e qeverisë. Protestuesit hodhën tymuese, vezë dhe domate.

Drejtues të lartë të PD-së dhe figura të larta të qeverisjes së saj neë periudhën 2005-2013, si Arben Ristani, Jozefina Topalli, Genc Pollo, etj mbajtën fjalime kundër qeverisë dhe kërkuan krijimin e një qeveri teknike.

Në fjalën e tij Kryetari i PD-së Lulzim Basha përsëriti akuzat e tij të zakonshme ndaj qeverisë. Ai e akuzoi kryeministrin për vjedhje të 400 milionë euro në dogana dhe 800 milionë euro në tendera.

Ai kërkoi “largimin e qeverisë që shkatërroi zgjedhjet. Rrëzimin e saj dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Toskë e gegë kundër një grupi kusarësh.”

Duke bërë thirrje për vazhdimin e protestave në të ardhmen, Zoti Basha kërkoi që ato të jenë paqësore. “I bëj thirrje, sot, çdo protestuesi, demokrat ose jo, se në këto protesta dhe në qindra protesta që do të pasojnë të tregojmë qytetarinë tonë se jemi ndryshe nga ata duke mos prekur asnjë kapele dhe asnjë fije floku policisë tonë.”

Manifestimi i opozitës u shoqërua me forca të shumta policore, të cilat nuk ndërhynë në asnjë moment.

Kjo është protesta e dytë e organizuar nga Partia Demokratike kundër qeverisë pas asaj të zhvilluar më 8 dhjetor.

Opozita deklaroi se protestat do të vazhdojnë deri në vendosjen e një qeverie teknike.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>