Deputetja socialiste Blerina Gjylameti dhe zëvendësministri i Arsimit Ervin Demo akuzohen se kanë bërë plagjiaturë në botimet e tyre shkencore. Ata kanë përvetësuar idetë dhe punën e të tjerëve, pa cituar burimin origjinal, duke shkelur të drejtat e autorëve dhe produktet e tyre intelektuale.
Ky rast u denoncua nga Taulant Muka, mjek dhe studiues, në vazhdën e një raporti për kërkimet shkencore në Shqipëri.
Sipas Mukës, artikulli shkencor me titull “Universitet dhe transferimi i teknologjisë”, botuar në vitin 2011, shkruar nga Ervin Demo, që në atë kohë mbante titullin Doktor dhe nga Blerina Gjylameti, që në atë kohë ishte kadidate për doktorante, në të vërtetë nuk është punë origjinale e tyre.
Ky artikull është kopjuar, pa u cituar, nga një raport i shkruar nga Diana Palmintera në vitin 2005. Pagjiatura e bërë nga Demo dhe Gjylameti është vërtetuar përmes programeve software që përdoren për të dalluar se sa autentik dhe original është një shkrim.
Në Shqipëri, bazuar në Kodin e Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor, plagjatura kondisiderohet si “shkelje e rëndë e integritetit në kërkimin shkencor”.
Por, pavarësisht se plagjiatura nuk përbën vepër penale, i ka kushtuar karrierën disa ministrave në Evropë.
Kështu, në vitin 2011, ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg dha dorëheqjen pasi u akuzua se kishte kopjuar disa fragmente nga publikimet e personave të tjerë dhe i kishte përfshirë në doktoraturën e tij në vitin 2006. Guttenberg, për me tepër, hoqi dorë nga titulli Doktor.
Në vitin 2013, Annette Schavan, ministrja gjermane e Arsimit, dha po ashtu dorëheqjen, sepse Universiteti i Dusseldorfit, i hoqi punimin e doktoraturës, pasi rezultoi se Schavan kishte bërë plagjiaturë.
Dy javë më parë, në shtator 2018, ministrja spanjolle e Shëndetësisë Carmen Montón dha dorëheqjen pasi në temën e saj të Masterit kishte bërë plagjiaturë duke përfshirë pasazhe të tëra nga Wikipedia dhe punime shkencore të të tjerëve si punë të vetën origjinale.
Në Shqipëri, rasti i Demos dhe Gjylametit, përveç si shkelje e Kodit, vlen të përmendet dhe për faktin se të dy autorët kanë poste publike të rëndësishme. Karriera e tyre ka lindur në arsim dhe të dy kanë pasur poste të rendësishme në sektorin e arsimit— Ervin Demo është aktualisht zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe që prej vitit 2004 ka qenë pedagog në Fakultetin e Ekonomisë dhe më pas u emërua zëvendërektor në UT; Blerina Gjylameti, është sot deputete e Partisë Socialiste dhe që prej vitit 2008 ka qenë pedagoge në të njëjtin fakultet.