
Presidenti Meta nuk dekretoi sot ligjin e ri special të Teatrit Kombëtar, duke e kthyer atë sërish në kuvend ligjin e ndryshuar special të Teatrit Kombëtar.
Në njoftimin zyrtar të Presidencës, theksohet se ndryshimet e bëra nga shumica socialiste nuk kanë zgjidhur asnjë prej shkeljeve të Kushtetutës dhe parimeve demokratike që presidenti ngriti në korrik, kur nuk e dekretoi ligjin për herë të parë:
“Ky ligj nuk ka arritur të zgjidhë në thelb asnjë prej 9 (nëntë) çështjeve dhe problematikave kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, datë 27.07.2018, edhe pse ky dekret rezulton të jetë miratuar në tërësi nga Kuvendi.
Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje.
Ligji i ri nr. 37, dt 20.09.2018, paraqet sërish probleme kushtetuese, pasi edhe pse në pamje të parë ai duket sikur ka zgjidhur problematikën e konstatuar, në thelb dispozitat e tij përmbajnë kritere diskriminuese që nuk garantojnë konkurencën e lirë, por përkundrazi, sërish konstatohet një trajtim preferencial që kufizon pjesëmarrjen në garë.”