Më shumë se një vit më parë, në media bëri bujë lajmi se në Lungomaren e Vlorës ishin vendosur 20 stola “inteligjentë”. Kur në fillim të nëntorit të shkuar, Kryeministri Rama dhe Komisioneri Hahn “inspektuan” punimet në zonën e Lungomares financuar nga parët e BE-së, stolat inteligjentë morën një domethënie të re ,“europiane”.
Përmbytja nga rreshjet, që pasoi këtë vizitë të lartë, u tregua e pamëshirshme me stolat inteligjentë, sikurse në përgjithësi me hapësirat publike të rilindura nëpër Shqipëri. Përballja e “rilindjes” me natyrën nxori në pah një shqetësim të madh: investimet në fasada për qëllime propagandistike, të cilat i kanë larguar paratë e taksapaguesve nga investimet në infrastukturën e domosdoshme për zhvillimin e ekonomik të vendit.
20 stolat inteligjentë në Lungomare kanë kushtuar 50 milionë lekë, afërsisht €400 mijë. Reagimet e qytetarëve vlonjatë për këtë shpenzim publik kanë qenë të shumta, filluar nga ankesat për mungesën e informimit të qytetarëve mbi mënyrën e shpenzimit të taksave, tek luksi i këtij shpenzimi. Të gjitha në një kohë kur, në rrugët e qytetit mungojnë semaforët dhe lagje të tëra nuk kanë asnjë lloj infrastrukturë urbane apo kur në shkolla e kopshte nuk ka ngrohje dhe riparimet e lyerjet e tyre bëhen me paratë që ju merren prindërve në mënyrë “vullnetare”.
Këto komente kritike e detyruan atëkohë Bashkinë Vlorë të sqaronte se nuk bëhet fjalë thjesht për 20 stola por për një sistem të tërë multifunksional komunikimi, ku stolat ishin një pjesë e projektit dhe vetëm 5 për qind e shpenzimeve.
Debati sikur u mbyll pa shpjegime të mëtejshme, por Exit.al vendosi të shkonte më thellë në vlerësimin e këtij projekti, duke filluar nga domosdoshmëria e dobishmëria e tij për qytetarët tek kostot e zbatimit të tij.
Hulumtimi ynë ngre dyshime serioze se me projektin, e titulluar në mënyrë mbresëlënëse Sistemi Multifunksional Smart City, Lungomare, Bashkia Vlorë ka abuzuar financat publike pothuajse në çdo element.
Projekti ka patur si synim “krijimin e një sistemi multifunksional teknologjik, që do të mundësojë një rrjet komunikimi të shpejtësisë së lartë të bazuar mbi fiber optike, shërbim falas Wi-Fi, monitorim nëpërmjet kamerave të sigurisë, vendosje të pajisjeve të karikimit të telefonave smart përgjatë shëtitores, si dhe përgatitjen e rrjetit për suportin e shërbimeve të tjera smart.”
Sipas dokumentit teknik, kjo do të arrihej duke ndërtuar një rrjet infrastrukture mbështetëse pasive—ku përfshihen tubacione, puseta e aksesorë—si dhe infrastrukturë aktive, që përfshin vendosjen e fibrave optike përgjatë një gjatësie prej 8 kilometra.
Është e paqartë se përse Bashkia ka vendosur si kërkesë ndërtimin e një infrastrukture pasive, si tubacione e puseta për projektin, kur sipas ekspertëve të teknologjisë së informacionit që kemi konsultuar, fibrat optike mund të kalojnë nëpër kanalizimet ekzistuese.
Si për të mbështetur panevojshmërinë e tyre, në preventivin e siguruar përmes Koordinatorit të së Drejtës së Informimit pranë Bashkisë Vlorë, nuk ka asnjë zë që i është kushtuar infrastrukturës pasive. Nga vëzhgimet në terren rezulton se, ende, nuk janë zhvilluar punime kanalizimesh përgjatë Lungomares apo të jetë kontraktuar një kompani e dedikuar për t’i kryer ato.
Kabllimi elektrik, përkundër çmimit të paguar nga Bashkia, nuk kushton 1 908 lekë për metër, por nga 100-150 lekë për çdo metër linear.
E njëjta gjë është e vërtetë për fibrën optike. Kostoja e parashikuar dhe zbatuar nga Bashkia Vlorë është 1 708 lekë (rreth €14) për metër linear, për një total prej 13 664 000 lekë (rreth €110 mijë) për 8 km. Nga konsultimi me ekspertë të kompanive të teknologjisë së informacionit, dhe duke krahasuar me disa oferta që siguruam, mësuam se mesatarisht çmimi i fibrës optike 48SM, bashkë me shtrirjen, shkon rreth 300 lekë për metër linear, pra rreth pesë herë më pak se sa ka kushtuar në këtë projekt.
Në ndryshim nga kjo fryrje e kostos për kabllin optik, preventivi për koston e stolave inteligjentë ka një përputhshmëri thuajse “hyjnore” me çmimin me të cilin kompania fituese i tregton këta stola. Redaksia e Exit.al mori prej kompanisë së prodhimit të tyre, Steora and Include, një ofertën me çmim €2 999 për stol, dhe 5 për qind ulje nëse blejmë 20 stola—ndryshe, kompania na ofroi 20 stola me çmimin e 19 stolave. Kjo shifër përputhet me shifrën e parashikuar në preventivin e projektit, afërsisht 7,55 milionë lekë.
Duhet sqaruar se stola inteligjentë Steora kanë sistem të integruar për kthimin e energjisë diellore në energji elektrike, rregullator të rrymës dhe stabilizator të tensionit, sistem baterie mbështetëse, ruter për rrjetin WiFi, 2 porta për karikim pajisjesh me kabëll, karikim WiFi, sistem për monitorimin dhe rregullimin e temperaturës si dhe sensorë, të cilët përcjellin cdo 15 sekonda të dhëna në një panel monitorimi online, i cili kontrollohet online nga blerësi (Bashkia Vlorë).
Prandaj, duket e pakuptimtë që Bashkia Vlorë ka kërkuar instalimin 20 pikave lidhëse me internetin (access points), kur njëra nga arsyet pse këto stola janë “inteligjentë” është sepse ofrojnë shërbim wireless hotspot përmes një ruteri wireless të përfshirë në trupin e tyre. E vetmja gjë që duhet të siguronte kontraktori ishte linjë interneti ose përmes futjes së një karte sim në USB-në e stolit ose përmes lidhjes direkte të ruterit me fibrën optike.
Pra për të patur një projekt sa më rentabël, Bashkia kishte mundësi të shfrytëzonte sistemin hotspot të stolave, duke kursyer instalimin e fibrave optike me vlerë abuzive mbi €110 mijë.
Sidoqoftë, në mënyrë kategorike, ajo nuk duhej të kishte instaluar 20 pika hyrëse në internet me vlerë rreth 6 milion lekë (mbi €45 mijë), pasi, edhe nëse do të zgjidhnin internetin përmes fibrave optike dhe jo rrjetit celular, stolat inteligjentë Steora ofrojnë mundësi lidhje për lidhje direkte interneti.
Duket se Bashkia është përpjekur në mënyrë të tërthortë të justifikojë instalimin e fibrave optike në dokumentin e specifikimeve teknike duke aluduar se furnizimi me internet wireless përmes pikave hotspot nga kompanitë celulare në të shkuarën ka qënë problematik. Preteksti i Bashkisë duket se është funksionimi jo i mirë i 4 pikave hotspot në qendër të qytetit ofruar falas nga një kompani celulare. Por edhe nëse merret e mirëqenë ajo që raporton Bashkia në lidhje me këto pika, duhet patur parasysh se ato janë ofruar falas nga operatori, pa asnjë detyrim dhe pa asnjë kërkesë llogarie. Nëse ky shërbim do të blihej nga Bashkia, padyshim që do të ishte cilësor dhe do të zvogëlonte ndjeshëm koston e gjithë projektit.
Në mënyrë ironike, duket se edhe me këtë alternativë të shtrenjtë Bashkia nuk e ka zgjidhur problemin e cilësisë. Provat e shpejtësisë (kapacitetit) të internetit të bëra nga Exit.al gjatë më shumë se një viti, nga vera e shkuar deri tani, me anë të aplikacionit Speedtest, treguan se në praktikë nuk ofrohet cilësia që ka kontraktuar Bashkia, dhe kostoja e shërbimit është e tej fryrë.
Në kontratë është kërkuar furnizimi me kapacitet 200 Mbps dhe mbulim me rreze 100 metra nga stoli, për një kosto prej 126 389 lekë (rreth €1 000) në muaj. Të dhënat e provave që ne kryem sugjeruan se kapaciteti i ofruar për gjithë periudhën nga fillimi i verës 2017 deri në maj 2018 nuk i kalonte 2 Mbps, pra në total për të gjithë stolat kapaciteti i ofruar ka qenë rreth 40 Mbps. (Matjet u realizuan kur asnjë nga stolat nuk ka qënë i zënë nga përdorues të tjerë). Për më tepër, zona e mbuluar në asnjë rast nuk e kaloi rrezen prej 10 metra nga stoli, ndërkohë që mbulimi që kërkon Bashkia është 100 metra nga çdo stol.
Burimet pranë kompanive të ofrimit të internet e konsideruan këtë cilësi të njëjtë me atë të paketave standarde individuale të ofruara pa asnjë ulje, me çmimin jo më shumë se 2 mijë lekë (rreth €16) për stol. Pra, për kapacitetin e ofruar kostoja vjetore me të cilin këtë shërbim e ofron cdo operator interneti është jo më shumë se 50 000 lekë, ose 30 herë më pak se ajo për të cilën paguan Bashkia Vlorë, sipas preventivit të projektit.
Gjatë verës së këtij viti kapaciteti u rrit ndjeshëm, në total deri në 50-200 Mbps, por gjithsesi ky kapacitet me çmimet e tregut nuk i kalon 60-80 mijë lekë në muaj, pra thuajse dy herë më pak se sa paguan Bashkia Vlorë.
Një nga elementet më të shtrenjtë të projektit, ka qënë instalimi i kamerave në ambiente të jashtme, të cilësisë së lartë, të afta për të identifikuar tiparet e fytyrës (forensic capture). Kamerat që ka përzgjedhura Bashkia Vlorë janë të firmës Axis, të blera nga kompania shqiptare Communication Progress, e cila është shitësi i autorizuar i Axis për Shqipërinë.
Për të verifikuar çmimin e blerjes nga Bashkia Vlorë, Exit.al kërkoi një ofertë nga një shitës i autorizuar i markës Axis në Greqi, për furnizimin e 20 kamerave të modelit AXIS P3225-LVE MKII, modelit të vendosur përgjatë shëtitores Lungomares. Çmimi i blerjes nga Bashkia Vlorë është rreth €2 190 për aparat, ndërkohë që furnitori grek i Axis na ofroi çmimin €650 për aparat—ku përfshihet edhe kosto e transporit dhe montimit të tyre në Vlorë—plus një kosto prej rreth €38 për pajisjen fiksuese të nevojshme për montimin e tyre në objektin mbajtës. Diferenca mes çmimit të ofruar nga shitësi i autorizuar në Greqi me çmimin e blerjes së Bashkisë Vlorë është minimalisht €30 mijë për të 20 kamerat.
Duke qënë se ruajtja me kamera e stolave inteligjentë, të cilët në vetvete janë të pajisur me sistem anti-vjedhje dhe monitorim online 24 orë në 24, ngrihet pyetja se përse Bashkia ka vendosur montimin e një sistemi monitorimi aq të shtrenjtë për to, dhe akoma më keq pse ka pranuar një çmim marramendëse disa herë më të lartë se çmimet e tregut. Duhet theksuar se çmimi i kamerave me afërsisht të njëjtat parametra dhe që do ta kryenin fare mirë funksionin e kërkuar fillon nga €250.
“Sigurisht që janë shumë delikate e mund të dëmtohen…”. Kështu e ka justifikuar sistemin e monitorimit Kreybashkiaku Leli në një deklaratë për mediat, e cila duket disi absurde duke qënë se materialet e zgjedhura prej tij janë nga më të shtrenjtat e nga më rezistentet.
Hulumtimi i Exit.al nxori se të gjitha pajisjet shtesë apo ndihmëse të parashikuar në projekt (të tilla si Rack 42U, UPS, Switch Core, NVR, Videoclient Workstation. etj.) kanë patur si çmim reference në dokumentat e prokurimit dhe janë prokuruar me çmimet me të larta, në disa raste disa herë më të larta, se çmimet e tregut.
Mjafton të përmendim se sistemi mbrojtës (firewall, anti virus dhe kundër ndëryrjeve të pa atorizuara) është blerë me kosto 925 mijë lekë, kur mund të sigurohej një mbrojtje po aq e mirë me çmime nga 200–500 mijë lekë.
Kryebashkiaku Leli ka pohuar se projekti përfshin edhe hapjen dhe mirëmbajtjen e një faqeje për promovimin e qytetit, që do të trasmetojë informacione drejtpërdrejt në faqjen në rrjet të Bashkisë Vlorë. Një gjë e tillë nuk gjendet as në specifikimet teknike të projektit, as në shpenzimet e Bashkisë, as në faqjen në rrjet, ku informacionet përditësohen rrallë dhe ku mungon promovimi i qytetit dhe as që bëhet fjalë për trasmetime në kohë reale.
Një ndër zërat e projektit ishte përgatitja e materialeve udhëzuese dhe trajnimi i përdoruesve, por nga kërkimet tona nuk arritëm të mësojmë nëse një gjë e tillë ka ndodhur.
Nga ana tjetër, projekti rreket të justifikojë fondin e majmë duke aluduar se një pjesë e pajisjeve së montuara mund të përdoren në të ardhmën si infrastrukturë bazë për elemente të rinj që do t’i shtohen projektit Smartcity, por ai nuk ofron asnjë informacion shtesë nëse këto projekte ekzistojnë apo janë thjeshtë dëshirë e Bashkisë.
Duke qënë se synimi i shpallur i projektit ishte “krijimi i një sistemi intensiv komunikimi”, është e vështirë të argumentosh pro dobisë së tij, në një kohë kur, thuajse çdo person ka sot qasje të mirë në internet përmes operatorëve celularë.
Në një zonë, e cila frekuentohet vetëm gjatë mbremjeve në verë nga vendasit, sa janë gjasat që një një turist të qëndrojë në një stol tërësisht të zbuluar në pisk të vapës apo në mes shiut, kur interneti ofrohet në çdo bar apo restorant të rehatshëm të qytetit?
Ndërkohë ne nuk kemi konsideruar fare prioritetin e këtij investimi kur infrastruktura shkollore dhe studimore e qytetit është në gjendje primitive, përfshi atë të bibliotekës së qytetit dhe Universitetit të Vlorës.
Ironikisht, hulumtimi ynë krahasues na zbuloi se nëpër qyetet europiane, shumica e stolave inteligjentë janë vendosur në kampuse universitare apo parqe, pa thënë se numri i stolave të vendosur në këto qytete nuk i kalon 3-4 për çdo qytet, me përjashtim të Londrës që ka 10.
Qartësisht, në vendet perendimore ato vlerësohen si një lehtësi për të siguruar informacion, por jo si mënyrë për të inkurajuar “komunikim intensiv” sic e sheh Bashkia Vlorë.
Në Vlorë, në pasditen e ngrohtë të një të djele mestetori, rripi i Lungomares ishte i gjithi tërësisht i boshatisur e askush nuk ishte ulur apo po përdorte stolat “inteligjentë”. Shumica e stolave janë të vendosur në trotuare, ku nuk mund të qëndrojnë më shumë se 5-7 veta rreth çdo stoli pa penguar lëvizjen. Pra, a ia vlen të shpenzosh rreth 530 milion lekë për t’iu shërbyer gjithsej 120 vetave në ditë në rastin më të mirë? A nuk ka qyteti plotë mangësi, siç tregojnë kritikat e vendasve?
Këto janë vetëm problemet parimore të projektit, që nuk justifikon dot ekzistencën dhe investimin që ka thithur.
Të gjitha bashkë dëshmojnë, në rastin më të mirë papërgjegjshmërinë e keqmenaxhimin e financave publike e në rastin më të keq, nëse zbardhet, një skemë abuzimi dhe korrupsionin me qëllim përfitimi personal nga fondet publike.