Ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, i shpallur në kërkim prej disa ditësh në Maqedoni, ka kërkuar azil politik në Hungari.
Ky lajm është bërë publik nga vetë Gruevski, i cili pas disa ditësh heshtje, ka lajmëruar në Facebook:
“Gjatë këtyre ditëve kam marrë kërcënime për jetën. Tashmë jam në Budapest, ku i kam kërkuar autoriteteve hungareze azil politik. Do të ngelem gjithmonë besnik ndaj çështjeve të Maqedonisë. Nuk do të heq kurrë dorë!”
Ish-kryeministri maqedonas është shpallur në kërkim prej disa ditësh në Maqedoni, por vetëm të hënën, më 12 nëntor, policia konfirmoi se me urdhër të Gjykatës Penale të Shkupit, ata kishin lëshuar një urdhër arresti për Gruesvskin.
Urdhër arresti u lëshua pasi të premten Gjykata e Apelit të Shkupit refuzoi kërkesën e ish-kryeministrit për të shtyrë kryerjen e dënimit dy-vjeçar, dhënë nga gjykata penale, për ndikim të paligjshëm të dy zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme për blerjen e një makine luksoze me të ardhurat e shtetit.
Që prej të premtes kur vetë Gruesvki duhej të ishte paraqitur në gjykatë për të marrë vendimin e Apelit, e më pas në burgun e Shuto Orizarit në Shkup për të vuajtur dënimin, Gruevski është zhdukur.
Dënimi i ish-kryeministrit Nikola Gruesvki
Ish Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski u dënua më 23 maj me dy vite burg nga gjykata penale, për ndikim të paligjshëm të dy zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme për blerjen e një makine luksoze me të ardhurat e shtetit.
Më 5 tetor Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me dy vite burg.
Ngjarja për të cilën Gruevski u dënua, ka ndodhur në vitin 2012, kohë kur ai ishte kryeministër. Dy zyrtarë të ministrisë, Gjoko Popovski dhe Gordana Jankulloska, të influencuar nga Gruevski pranuan të blejnë një makinë anti-plumb të kompanisë Mercedes me një vlerë prej 600 mijë eurosh. Gjatë blerjes së makinës u shkelën dhe procedurat e tenderimit: makina është blerë fillimisht dhe më pas është hapur tenderi nga Ministria e Brendshme.
Nikola Gruevski nuk ishte i pranishëm në gjykatë kur u dha vendimi. Ai u dënua bazuar në provat e siguruara nga materialet audio të mbledhur gjatë skandalit masiv të përgjimit që shpërtheu në 2015 dhe çoi në rënien e qeverisë së tij.