Gjatë 24 orëve të fundit, janë publike më shumë detaje për ikjen e ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski nga Maqedonia për të shmangur dënim 2 vjeçar në burg, për korrupsion.
Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit i policisë së shtetit konfirmoi se Gruevski kishte kaluar kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, në Hanin e Hotit, në një automjet që i përket ambasadës hungareze në Shqipëri, me targë CD1013A. Makina dyshohet se kaloi kufirin më 11 nëntor në 19:11, kohë në të cilën për Gruevskin nuk ka patur ende asnjë njoftim në kufi apo shpallje si person në kërkim.
Policia shqiptare pretendon se ka marrë njoftim nga Interpol Shkupi, për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-kryeministrit më 13 nëntor, në orën 19:35.
Ende është e paqartë se si dhe kur Gruevski hyri në Shqipëri. Deri tani nuk ka të dhëna për hyrjen e tij në sistemin TIMS.
Gruevski ka aplikuar për azil politik në Hungari.
Dënimi i ish-kryeministrit Nikola Gruesvki
Ish Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski u dënua më 23 maj me dy vite burg nga gjykata penale, për ndikim të paligjshëm të dy zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme për blerjen e një makine luksoze me të ardhurat e shtetit.
Më 5 tetor Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me dy vite burg.
Ngjarja për të cilën Gruevski u dënua, ka ndodhur në vitin 2012, kohë kur ai ishte kryeministër. Dy zyrtarë të ministrisë, Gjoko Popovski dhe Gordana Jankulloska, të influencuar nga Gruevski pranuan të blejnë një makinë anti-plumb të kompanisë Mercedes me një vlerë prej 600 mijë eurosh. Gjatë blerjes së makinës u shkelën dhe procedurat e tenderimit: makina është blerë fillimisht dhe më pas është hapur tenderi nga Ministria e Brendshme.
Nikola Gruevski nuk ishte i pranishëm në gjykatë kur u dha vendimi. Ai u dënua bazuar në provat e siguruara nga materialet audio të mbledhur gjatë skandalit masiv të përgjimit që shpërtheu në 2015 dhe çoi në rënien e qeverisë së tij.