Grupet kriminale shqiptare veprojnë në “nivelin më të lartë të sofistikmit dhe janë të lidhura me rritjen e viktimave të trafikuara në Mbretërinë e Bashkuar”.
Kështu shkruan gazetari Dan Whiteheads në artikullin “Grupet kriminale të sofistikuara shqiptare të lidhura me rritjen e trafikimit të personave në Mbretërinë e Bashkuar”, për median SkyNews.
Gazetari shkruan se statistikat e fundit nga Agjensia Kombëtare e Krimit (NCA) tregojnë një rritje prej 35 për qind të numrit të personave të trafikuar në Britani. Sipas Agjensisë Kombëtare të Krimit, numri i viktimave të trafikuara në Mbretërinë e Bashkuar është rreth 5 145 persona nga 2016 në 2017, pjesa më e madhe vijnë nga Shqipëria. Ata janë trafikuar përmes një rrjeti kriminelësh të cilët veprojnë në vendet e Evropës, dhe i shesin viktimat si mallra.
Zëvendës drejtori i NCA, Tom Dowdall tha se grupet kriminale shqiptare nuk dorëzohen lehtë tek autoritetet policore. Ai u shpreh se ato janë të organizuara dhe po veprojnë në nivel të lartë sofistikimi dhe kanë shtrirë aktivitetin e tyre jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por dhe në vendet e tjera të Evropës.
Ato janë grupe të dhunshme të përfshira në aktivitete të ndryshme kriminale, jo vetëm në krimin e emigracionit dhe të trafikimit, por edhe në trafikimin e drogës e armëve.