Shqipëria me renditje të dobët në Indeksin Global të Konkurrencës

Nga Alice Elizabeth Taylor
Shqipëria me renditje të dobët në Indeksin Global të Konkurrencës

Korrupsioni i lartë, mungesa e pavarësisë së gjyqësorit dhe mungesa e inovacionit e lënë edhe këtë vit Shqipërinë mbrapa në renditjen e Indeksit Global të Konkurrencës.

Shqipëria renditet e 76-a nga 140 vendet e përfshira në Indeksin Global të Konkurrencës për vitin 2018, që hartohet nga Forumi Ekonomik Botëror. Kjo renditje shënon një përmirësim me 4 vende në radhitje krahasuar me vitin 2017.

Hartuesit e konsiderojnë këtë raport vjetor si një “kompas shumë të nevojshëm ekonomik”, që tashmë bazohet në 40 vjet përvojë në matjen e treguesve të konkurrencës në afatgjatë. Ndërkohë që bota po hyn në atë që quhet Revolucioni i Katërt Industrial dhe shumë vende janë ende nën peshën e krizës botërore të viteve 2000, udhëheqësit e përgjegjshëm kërkojnë përgjigje dhe zgjidhje, ndërsa të papërgjegjshmit kërkojnë përfitime afatshkurtra, sa kohë janë në pushtet.

Indeksi ndërthur aspekte të njohura të konkurrencës dhe thekson rolin e kapitalit njerëzor, inovacionit, aftësitë ripërtëritëse dhe zhdërvjelltësinë e ekonomisë, që janë karakteristika që çojnë në një ekonomi të suksesshme. Indeksi ofron një analizë objektive mbi bazë të dhënash, që mund të përdoret për hartimin e politikave të arsyeshme që synojnë zhvillimin në të ardhmen.

Vlerësimi për çdo vend bëhet përmes 12 shtyllave: Institucione, Infrastrukturë, Përdorimi i TIK (Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit), Stabiliteti Makroekonomik, Shëndeti, Aftësitë Profesionale, Tregu i Prodhimit, Tregu i Punës, Sistemet Financiare, Madhësia e Tregut, Dinamizmi i Biznesit, Aftësia për Inovacion.

Përfundimi i përgjithshëm i raportit është se pavarësisht se disa vende (si Shqipëria) janë përmirësuar në këtë indeks, pjesa më e madhe e ekonomive nuk janë konkurruese. Renditja bëhet mbi bazën e 100 pikëve dhe mesatarja botërore është 60 pikë. Në bazë të vlerësimeve, shumë ekonomi në botë duhet të marrin masa për të zbatuar politika për rritjen afatgjatë të ekonomisë dhe të aftësisë së saj për t’iu përgjigjur sfidave, si dhe të zgjerojnë mundësitë për popullatat e tyre.

Shqipëria vlerësohet me 58,2 pikë, që do të thotë se renditet nën mesataren botërore. Pavarësisht se ka një përmirësim më 4 vende në renditje, Shqipëria e ka rritur me vetëm 0,8 pikë vlerësimin sipas këtij indeksi.

Shqipëria renditet pranë fundit në Infrastukturë (vendi 100), Stabilitet Makroekonomik (97), Sistem Financiar (105), Madhësinë e Tregut (108), megjithëse në ndonjë shtyllë të indeksit kap vende jo të këqija: Tregu i Punës (34) dhe Aftësitë Profesionale (45). Raporti vlerëson se niveli i papunësisë në vend është 13,9 për qind dhe Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) per capita është 4.582 dollarë amerikanë. Rritja mesatare e PBB-së për 10 vitet e ardhshme parashikohet të jetë 3 për qind.

Gjithashtu raporti thekson problemet me krimin e organizuar, mungesën e pavarësisë së gjyqësorit, joefiçencën e sistemit bankar, mungesën e inovacionit dhe të ideve që sjellin përparim. Treguesit për besueshmërinë e policisë, efiçencën e zbatimit të ligjeve, kapitalin social dhe korrupsionin vlerësohen negativisht krahasuar me vitin 2017.

Ndër vendet që renditen më mirë se Shqipëria janë: Maroku, Azerbajxhani, Mauritiusi, Kazakistani dhe Omani. Shqipëria renditet vetëm me pak vende sipër Viatnamit, Ukrainës dhe Sri Lankës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>