Genc Sejko, policia dhe liria

Genc Sejko, policia dhe liria

Genc Sejko është një shqiptar që jeton në Londër, profili në Facebook i të cilit është bërë ndër më të ndjekurit mes shqipfolësve, falë mesazheve të goditura, kryesisht politike, që ai përcjell. Si përgjigje ndaj atyre që konsiderohen gjerësisht si skandale të vazhdueshme të qeverisë Rama (Tahiri, Xhafaj, Balla, Rraja, shembjet e shtëpive, projekti i Unazës, Teatri Kombëtar, etj.), në atmosferën e protestave në disa zona në Tiranë kundër shembjes së shtëpive për realizimin e projekteve të dyshimta të qeverisë, si dhe në mes të protestave studentore, Genc Sejko kishte lajmëruar javë më parë organizimin e një tubimi të Diasporës në Tiranë.

Për këtë, më datë 24 dhjetor, Genc Sejko i është drejtuar Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku ka dorëzuar njoftimin për organizimin e tubimit në datat 28, 29, 30 dhjetor.

Sipas ligjit, policia duhet që brenda 24 orëve t’i komunikojë organizatorit kufizimet e arsyeshme të mundshme për tubimin, si dhe të bëjë të qartë mbështetjen e policisë për mbarëvajtjen e tij, duke qartësuar numrin e policëve që do ta sigurojnë atë.

Në shkelje të afatit 24 orësh dhe dy ditë pas njoftimit të Sejkos, zoti Kastriot Skenderaj i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë i është përgjigjur atij përmes një shkrese zyrtare, ku e ndalon zhvillimin e tubimit. Arsyet e dhëna në shkresë janë se tubimi pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, shkel të drejtën kushtetuese për qarkullim të lirë të qytetarëve, pengon qarkullimin e automjeteve dhe punën e institucioneve.

Në shkresën me firmën e tij, Kastriot Skënderaj kujton organizatorin dhe pjesëmarrësit se ata do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale nëse e shkelin këtë vendim të policisë dhe mbajnë një tubim të paligjshëm.

Genc Sejko iu përgjigj ndalimit të policisë për tubimin në fjalë, përmes një shkrese, ku nxjerr në pah anti-kushtetueshmërinë e ndalimit, si dhe garantimin që kushtetuta i bën të drejtës së qytetarëve për t’u tubuar lirisht. Për më tepër, përgjigja jashtë afateve ligjore nga ana e policisë, e bën vendimin e saj dyfish të paligjshëm. Kjo përgjigje, edhe nëse do të ishte në kohë, është e paplotë, pasi nuk argumenton pengesat e supozuara dhe nuk jep alternativë për zhvillimit e tubimeve në tri ditët e njoftuara.

Sejko i bëri sërish thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën triditore bashkë me fëmijët dhe familjarë e tyre, sipas planifikimit fillestar të saj. Ai ka siguruar se protesta do të jetë paqësore dhe qytetare, dhe se vetë pjesëmarrësit do të garantojnë mbarëvajtjen e saj, në mungesë të kryerjes së kësaj detyre nga policia.

Ironikisht, përmes këtij ndalimi anti-kushtetues të “Tubimit të Diasporës” dhe ndërkohë që ka krijuar postin e Ministrit për Diasporën, qeveria shqiptare duket se po i trajton emigrantët shqiptarë në botë si emigrantë të paligjshëm dhe të padëshiruar në vendin e tyre. Ministri për Diasporën Pandeli Majko nuk është shprehur ende për protestën dhe ndalimin e saj nga qeveria ku ai bën pjesë.

Nga ana tjetër, ky vendim i policisë mund të shihet si një përpjekje e Kryeministrit Rama për të tulatur ndjenjën e protestave që kanë mbërthyer shumë segmente të shoqërisë muajt e fundit. Festat e fundvitit mund të kishin qenë shpresa e Ramës se pushimi i protestave do të ishte edhe reshtje e plotë e tyre me nisjen vitit të ri, por Sejko duket se krijon një lidhje të mundshme mes protestave të banorëve kundër shembjes së shtëpive të tyre, protestave të studentëve, dhe atyre që me gjasa mund të vijojnë pas festave të fundvitit.

Për më tepër, një protestë e organizuar nga qytetarë shqiptarë të emigruar në Evropë, nuk mund të mos sjellë ndërmend Rilindjen Shqiptare të para një shekulli, për të cilën “dielli i shqiptarëve lind nga perëndimi”. Kjo gjë mund të ketë qenë një shtysë më tepër për Qeverinë Rama për ta ndaluar protestën, e cila risjell në vëmendje të publikut Rilindjen Shqiptare dhe e vë atë përballë banalitetit të Rilindjes prej Partisë Socialiste.

Protesta do të organizohet përballë Kryeministrisë më 28 dhjetor (17:00 – 21:00), 29 dhjetor (13:00 – 19:00), 30 dhjetor (12:00 – 19:00). Në vijim gjeni njoftimin e organizatorëve për protestën.

“Më datë 28 dhjetor shqiptarët e diasporës do mblidhen në protestë për Shqipërinë e 28 viteve të fundit, e cila edhe pas 28 viteve u ofron shqiptarëve vetëm rrugët e botës, pa i lejuar të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre.
Për Shqipërinë që sot jo vetëm nuk është si gjithë Evropa, por është çdo ditë e më e varfër, më e pabarabartë dhe më larg asaj që ëndërronim 28 vite më parë.
Për Shqipërinë ku Studentët e Dhjetorit, sot prindër, shpenzojnë kursimet e jetës për t’i larguar fëmijët e tyre një orë e më parë nga ky vend.
Për Shqipërinë që pavarësisht të gjithave duhet, mund, dhe do të bëhet një vend më i mirë!

“Se kombet shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë; Për të, për të luftojmë ne.””

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>