Nuk është hera e parë që opozita parashikon përfshirjen e zyrtarëve të lartë të shtetit në afera korruptive apo ngjarje të rënda si ajo e blerjes së votës nëpërmjet bandave kriminale. Kjo ndodhi dhe sot, kur kryetari i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi se ndoshta shumë shpejt do të ketë fletëarresti për Kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon.
Në më shumë së një përgjim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të botuara në media, Dako është shfaqur duke folur me kriminelë, para dhe gjatë procesit zgjedhor të vitit 2017, lidhur me blerjen e votave në qarkun e Durrësit. Një pjesë e këtyre përgjimeve u bënë publike dhe nga një hulumtim i Zërit të Amerikës, çfarë shton hamendësimin e një trysnie të shtuar për ndalimin e Dakos dhe për nxjerrjen para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për shitblerjen e votës.
Heshtja, apo më saktë mosmbajtja e asnjë përgjegjësie nga Kryeministri Rama për përgjimet e rrjedhura dhe kalimi i situatës me batuta dhe etiketimin “kazan” të Zërit të Amerikës, mund të jetë shenjë e frikës se pas publikimit të përgjimeve mund të kishte arrestime (sikurse paralajmëroi sot Lulzim Basha) dhe një efekt zinxhir, që mund të çojë në hetimin e mëtejshëm të dosjes së famshme 339, të lidhjeve krim – politikë për blerjen e votave në Durrës.
Por, që ky efekt zinxhir të sjellë ndalime edhe për emra të tjerë të botës së krimit dhe të politikës, të përfshirë në vjedhjen e zgjedhjeve, nuk mjafton vetëm bërja publike e copëzave të dosjes voluminoze 339, por duhet të përfundohet hetimi i zvarritur dhe i stërzgjatur.
Vangjush Dako, politikani i parë i bërë i ditur në dosjen e përgjimeve, dhe Donika Prela, shefja aktuale e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duket se janë kthyer në personat kyç në hetimin e vjedhjes së votave në zgjedhjet e kaluara. Përveç qytettit të Durrësit, ku Dako jeton e drejton dhe zonja Prela ka punuar disa vjet prokurore, dosja 339 është tashmë një tjetër urë lidhëse mes kryebashkiakut dhe prokurores.
Prela ka heshtur në publik për hetimet e kësaj dosjeje, por fakti është se menjëherë pas marrjes së drejtimit të krimeve të rënda ajo transferoi prokurorët që po hetonin dosjen. Pas kësaj Donika Prela e kaloi vetingun, pavarësisht shumë problemeve në pasurinë e saj, dhe pavarësisht kritikave ndaj saj të vëzhguesit ndërkombëtar. Ndërkohë, komisioni i vetingut tregoi indiferencë të plotë për faktin se në maj të vitit të kaluar, në Prokurorinë e Durrësit, të drejtuar nga Prela, u vodhën dy herë materiale hetimore dhe askush nuk mbajti përgjegjësi apo u hetua.
Kalimi i vetingut pas shumë pikëpyetjeve serioze dhe kundërshtive, si dhe mbajtja pezull e hetimeve të dosjes 339, pavarësisht trysninsë për të hetuar përgjegjësit për shitblerjen e votës, duket se nuk kanë lënë asnjë mbresë apo shqetësim (të paktën në dukje) tek Zonja Prela, e cila ka vendosur të kandidojë për të qenë pjesë e prokurorisë të posaçme kundër korrupsionit, të famshmit SPAK.
Në gjendjen e tensionuar, kur opozita ka ndërmarrë veprimin e skajshëm për dorëzimin e mandateve parlamentare dhe duket e vendosur për të mos marrë pjesë në asnjë proces zgjedhor, pa u vënë përpara përgjegjësisë, të paktën, politikanët që figurojnë në përgjimet e tanishme të prokurorisë për përfshirje në shitblerjen e votave, Donika Prelës do t’i duhet të zgjedhë mes arrestimit të Dakos dhe vazhdimit të karrierës së saj.
Përndryshe, “shefi i madh”, që është investuar që Dako dhe Prela të jenë pjesë e sistemit politik të drejtuar prej tij, mund t’i duhet “t’i djegë” të dy, në mënyrë që t’i japë një sinjal komunitetit ndërkombëtar se ai e ka të paktën një minimum serioziteti në luftën me bandat që blenë zgjedhjet e kaluara në Shqipëri.