Prokuroria e Tiranës ka nisur sot hetimet për ministren Elisa Spiropali, bashkëshortin dhe vëllain e saj, të dyshuar për përfshirjen në një skemë përfitimi dhe pastrimi parash.
Lajmin e bën të ditur portali Boldnews, të cilët ishin të parët që denoncuan një sërë tenderësh publikë në Ujësjellës-Kanalizimet Fier, të fituar nga kompania Solomon Construction, në pronësi të vëllait të Spiropalit, gjatë kohës që bashkëshorti i Spiropalit drejtonte të njëjtin institucion.
Boldnews njofton se prokuroria ka marrë të gjitha materialet e denoncuara nga BoldNews. Po ashtu, dhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) ka nisur hetimin administrativ për pasurinë e Spiropali, menjëherë pas bërjes publike të investigimit. ILDKPKI po heton jo vetëm pasurinë dhe burimet e Zonjës Spiropali dhe familjarëve të saj, por dhe nëse ka pasur konflikt interesi.
Investigimi për kompaninë Solomon Construction
Rreth dy javë më parë, Boldnews publikoi një investigim të thelluar mbi kompaninë Solomon Construction, të krijuar nga Enkli Spiropali, vëllai i ministres së Shtetit, në Gusht 2013, në kohën kur Partia Socialiste mori pushtetin.
Në Mars 2014, kompania e Spiropalit fitoi tenderin e parë me vlerë 6.6 milionë lekë nga Ujësjellës-Kanalizimet Fier, drejtuar nga Salarjon Totaj, partneri i motrës së tij, ministres së sotme, në atë kohë Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave.
Pasi fitoi tenderin, Enkli Spiropali ia shiti kompaninë Marjus Memushajt, kushëririt të dytë të Salarjon Totaj. Nën pronësinë e Memushajt, kompania Solomon fitoi edhe disa tenderë të tjerë në Ujësjellësin e Fierit, i cili drejtohej ende nga kuëshëriri i tij i dytë, Totaj.
Deri në Shtator të vitit 2016, kohë kur Salarjon Totaj u largua nga Ujësjellësi i Fierit, kompania Solomon fitoi disa tendera, me vlerë totale rreth 350 mijë dollarë amerikanë.
Paralel me tenderat e Ujësjellësit, Solomon fitoi edhe fonde publike nga Dogana e Fierit dhe e Vlorës, struktura nën varësinë direkte të Elisa Spiropalit në kohën e zhvillimit të procedurave të prokurimit publik.
Të dhënat e siguruar nga Boldnews krijojnë dyshime se kompania Solomon është përdorur si “mbulesë” për ndarjen e fondeve publike mes familjarëve Spiropali-Totaj.