Dje, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka nisur misionin e rradhës në Tiranë.
Sipas traditës, dy takimet e para të misionit zhvillohen me Ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Takimi me Ministrin Cani është zhvilluar dje paradite, ndërsa për të takuar Guvernatorin, misionit do i duhet të presë.
Guvernatori Sejko po shoqëron Kryeministrin Rama në hapjen e ekspozitës me skica në Hong Kong. Guvernatori ka marrë pjesë dhe në një takim mes qeveritarëve tanë dhe biznesmenëve kinezë, takim që nuk ngjalli interes për komunitetin e biznesit të Hong Kongut.
Udhëtimi për në Hong Kong i Guvernatorit Sejko duket pak i justifikuar. Veç shoqërimit të Kryeministrit, ai nuk zhvilloi asnjë takim tjetër edhe pse Hong Kongu është një ndër 3-4 qendrat më të rëndësishme të botës.
Misioni që FMN po zhvillon në Tiranë këto ditë ka rëndësi të veçantë pasi do të vendosë për dhënien ose jo të këstit prej 26 milionë Eurosh, të cilin FMN nuk e firmosi në korrik, duke mos qenë optimiste për gjendjen financiare të vendit.