Zarife Hasanaj, ushtarake në Forcat e Armatosura të Shqipërisë ka humbur jetën në bazën luftarake të NATO-s në Letoni. Ngjarja ndodhi kur një grup ushtarësh shqiptarë po punonin për asgjësimin e municioneve dhe lëndëve plasëse. Në aksident u plagosën edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tabushi dhe Rreshter Julian Kapaj.
“Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATOs ‘Enhanced Forward Presence’. Një grup i kontingjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, sot në ora 9.10 (ora 10.10 me orën lokale) janë dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve,”— njoftoi për median Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku.
Prej 2 vitesh, ushtarakët e Forcave të Armatosura shqiptare kontribuojnë në Letoni, në kuadër të Mbrojtjes Kolektive të Aleancës.