
Aeroporti i Pulias në Itali fton kompanitë shqiptare që të marrin pjesë në garë për të shtuar fluturimet me rëndësi strategjike në Europë dhe Mesdhe.
Përmes programit “ON CLOUD NINE”, aeroporti hapi thirrjen për të interesuarit për investim në shtimin e itinerareve apo linjave për këto destinacione.
Projekti i drejtohet vendeve pjesmarrëse në programin financues IPA CBC Interreg, Itali – Shqipëri – Mal i Zi dhe kap vlerën totale të 555 mijë eurove (pa TVSH).
Përzgjedhja e fituesve do të bazohet mbi disa kritere vlerësuese dhe kompanitë e interesuara në momentin e aplikimit brenda afatit përfundimtar duhet të zotërojë licensat dhe autorizimet e përcaktuara në legjislacionin vendas dhe atë europian.
Projekti ON CLOUD NINE ka për qëllim të krijojë lidhje të reja ndërmjet Pulias dhe Shqipërisë si dhe Pulias dhe Malit të Zi përmes një start-up eksperimental të rrugëve ajrore Brindisi – Tirana dhe Brindisi – Podgorica. Referuar këtyre rrugëve të reja, projekti ka për synim nga njëra anë të gjenerojë mundësi të reja për zhvillim dhe rritje të zonave të përfshira dhe nga ana tjetër të ndihmojë në thyerjen barrierave për lëvizjen e njerëzve në vendet partnere, fuqizmin e rritjes ekonomike dhe inkurajimin e bashkëpunimit në basenin e Adriatikut.