Veliaj: Opozita, ‘një forcë e errët që të bën të vrasësh veten’

Veliaj: Opozita, ‘një forcë e errët që të bën të vrasësh veten’

Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë prezantimit të programit të tij për mandatin e dytë, e krahasoi opozitën me një “forcë të errët” që të “bën të vrasësh veten”.

Veliaj përdor si krahasim filmin Bird Box, një film horror ku njerëzimi rrezikohet nga një forcë e mbinatyrshme, që i bën ata të çmenden dhe më pas, të vrasin veten, duke shkaktuar kështu vetëvrasje masive.

Veliaj e përshkroi luftën e tij kundër kundërshtarit “të padukshëm” dhe e krahasoi veten e tij me personazhin kryesor në film:

“Ishte një forcë e errët në një qytet si kjo forca e errët që vërtitet në qytetin tonë.

Ajo forca ishte e pafytyrë si kjo forca që vërtitet nëpër Tiranë pa fytyrë. Po të kishe kontakt fizik me këtë forcën, ajo të bënte të vrisje veten. Ndaj ajo që ndodhi është që kjo vajza stabilizoi një rutinë ku tha unë ‘do të bëj këto gjërat dhe nuk do të merrem fare me këtë forcën e errët’.”

Shëndeti mendor është një çështje për të cilën flitet dhe kuptohet shumë pak në Shqipëri. Nga institucionet publikë është investuar shumë pak për ofrimin e këshillimit apo terapisë për qytetarët dhe ekziston ende një stigmë e madhe rreth problemeve të shëndetit mendor.

Megjithëse të dhënat zyrtare për numrin e vetëvrasjeve tregojnë shifra të ulëta, mbetet e panjohur se sa raste nuk bëhen publike, apo se sa persona tentojnë vetëvrasjen çdo ditë.

Në botë, çdo 40 sekonda dikush vetëvritet. Sa i përket problemeve të shëndetit mendor, Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se një në katër persona do të vuajë nga një problem i shëndetit mendor gjatë jetës së tyre.

Qoftë dhe si referencë ndaj një filmi, është shumë e pakujdeshme dhe e patakt nga një zyrtar që të shprehet kështu për një çështje kaq serioze sa shëndeti mendor dhe të flaës për vetëvrasjen vetëm për përfitime politike. Ky lloj qëndrimi jo vetëm që e përjetëson stigmën, por i turpëron edhe më shumë ata që mund të vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>