“30 qershori është data zyrtare e zgjedhjeve vendore të vitit 2019.”
Kështu vendosi sot Kolegji Zgjedhor, duke hedhur poshtë kërkesën e Partisë Uniteti Kombëtar për tu çregjistruar nga zgjedhjet e 30 qershorit, pas dekretit të presidentit Meta për ta anuluar këtë datë.
Trupa e Kolegjit Zgjedhor që mori këtë vendim përbëhej nga gjyqtarët Tomor Skreli, Ridvan Hado, Lindita Sinanaj, Artur Malaj dhe Shkëlqim Mustafa.
Pas dekretit të Presidentit Meta për anulimin e datës 30 qershor si data për zgjedhjet vendore, Partia Uniteti Kombëtar, përfaqësuar nga kryetari Idajet Beqiri, i kërkoi fillimisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta çregjistronte nga zgjedhjet dhe të hiqte PUK dhe nga fleta e votimit.
KQZ-ja nuk e pranoi këtë kërkesë me argumentin se dekreti i Presidentit Meta është antikushtetues dhe i pavlefshëm.
Më pas Partia Unitetit Kombëtar e ankimoi vendimin e KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor. Gjatë seancës së sotme, kreu i PUK, Idajet Beqiri u shpreh:
“Nga një anë KQZ thotë që do ketë zgjedhje, ndërsa Presidenti jo. Partia dhe elektorati ynë u vu në një situatë absurde. Duket sikur po luftonim me mullinjtë e erës. Ne duam të mos marrim pjesë dhe duam që Partia e Unitetit Kombëtar të hiqet nga fleta e votimit.”
Ndërsa përfaqësuesi i KQZ-së Olsi Peto tha se KQZ i qëndron vendimit të saj, për të mos njohur dekretin e presidentit, për të vazhduar me organizimin e zgjedhjeve më 30 qershor dhe për të mos çregjistruar nga zgjedhjet PUK-në.