Arrestimi i ish-deputetes Dhurata Çupi dhe kryetares së FRPD-së Denisa Vata gjatë protestave në KZAZ-në e Burrelit është diskutuar në Forumin e Grave të Partive Popullore Europiane, në Talin të Estonisë.
Ish-deputetja Albana Vokshi deklaroi se ka ngritur zërin për arrestimet politike që po bëhen në Shqipëri nga qeveria Rama gjatë punimeve të Forumit:
“Forumi i Grave të PPE-së është tejet i shqetësuar rreth lajmeve shokuese për arrestimin e grave dhe përdorimin e gazit lotsjellës edhe ndaj fëmijëve që së bashku me familjet e tyre protestojnë në mënyrë paqësore për demokraci.”
Zonja Vokshi i ka kërkuar Forumit ndihmë për të sensibilizuar ndërkombëtarët për situatën shqetësuese në Shqipëri dhe për arrestimet politike:
“Ditët e fundit, Kryeministri Rama i demaskuar në media për manipulimin e rezultateve zgjedhore të 2016-2017, arrestoi gra politikane, mes tyre deputetja Dhurata Çupi dhe Kryetarja e FRPD Mat, Denisa Vata. Ndërsa në Shkodër, Kryetarja e Bashkisë u rrethua nga forcat speciale, ndërkohë që në qeli mbahej i burgosur politik deputeti i Shkodrës Bardh Spahia. Kërkova mbështetjen e Forumit të Grave te PPE-së për të sensibilizuar të gjithë faktorin ndërkombëtar për rrëshqitjen e Shqipërisë në Diktaturë.”
Më 19 qershor, ish-deputetja Dhurata Çupi dhe kryetarja e FRPD-së Denisa Vata u shoqëruan në komisariat nga Forcat Renea, pa marrë asnjë shpjegim, pas përplasjeve mes qytetarëve dhe policisë në KZAZ-në 16 në Burrel.
Ndërsa ish-deputeti Bardh Spahia u arrestua mbrëmjen e 20 qershorit, pasi akuzohet për ‘kundërshtim të policisë’ gjatë përplasjeve në KZAZ-në e Shkodrës më 18 qershor. Më 22 qershor, Gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për ish-deputetin Spahia.