Dikush të thërrasë Bingo!—rrënimi i të gjitha institucioneve kushtetuese të vendit

Nga Andrea Cama
Dikush të thërrasë Bingo!—rrënimi i të gjitha institucioneve kushtetuese të vendit

Institucionet Kushtetuese janë institucione të përmendura shprehimisht nga Kushtetuta, mosfunksionimi i të cilave përbën dhunim të saj.

Ekzistenca e këtyre institucioneve është element jashtë vullnetit të kujtdo qeverie dhe nuk do mund të fshihej as me ligj, pa ndryshuar më parë Kushtetutën.

Për shkak të popullaritetit të fituar nga televizion, të gjithë shqiptarët e njohin lojën e Bingos—lojës së fatit ku tërhiqen numra të rastësishëm me gogla, ndërsa pjesëmarrësit plotësojnë seritë e numrave në biletat e tyre, derisa njëri prej tyre të plotësojë i pari numrat e tij dhe ta shpallë këtë gjë duke thirrur: Bingo!

Situata institucionale që po kalon Shqipëria, ngjason shumë me një loje të madhe bingoje ku nuk po thërriten numra, por institucione.

Përveç institucioneve kushtetuese të drejtësisë të sanksionuara me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, një pjesë e madhe e të cilave nuk janë formuar akoma, lista e institucioneve kushtetuese të mbetura ende plotësisht funksionale po vjen duke u zvogëluar.

Duke përjashtuar Avokatin e Popullit, një institucion pa ndonjë rol të rëndësishëm, të cilin shumica e vendeve nuk e kanë përfshirë fare në kushtetutë, mund të thuhet se vetëm Këshilli i Ministrave vazhdon ende i pacënuar. Dhe është pikërisht Këshilli i Ministrave, që në fakt kontrollohet nga një njeri i vetëm, institucioni që po mbush vakumin e mungesës së institucioneve të tjera kushtetuese.

Organet e drejtësisë

Kushtetuta përmend qartë, si para ashtu edhe pas ndryshimeve të vitit 2016, ekzistencën e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, dhe Prokurorit të Pergjithshëm.

Nëse dy të parat janë tërësisht jofunksionale për shkak të se kanë mbet8r pa anëtarë, në vend të Prokurorit të Përgjithshëm shërben një prokurore e përkohshme, të cilës i mungon çdo legjitimitet dhe thuajse çdo kompetencë për të vepruar.

Prokurorit të Përgjithshëm të mëparshëm i mbaroi mandati në dhjetor 2017, duke i lejuar mazhorancës të caktojë vetëm me votat e saj dhe me anë të një ligji kalimtar të dyshimtë, një Prokuror të Përgjithshem të Përkohshëm, posicion që jo vetëm nuk përmendet askund në Kushtetutë, por as nuk i nënshtrohej vetingut dhe nuk plotēson as mbrojtjen e mëparshme të Kushtetutës, të qenit i propozuar nga Presidenti.

Përfaqësuesit e popullit – Kuvendi

Pavarësisht se Shqipëria është një republikë parlamentare dhe Kushtetuta përcakton se numri i deputetëve është 140, aktualisht Kuvendi përbëhet nga vetëm 122 deputetë, pa asnjë mundësi për të plotësuar vendet e mbetura bosh.

Shumica socilaiste vendos për gjithçka, e pashqetësuar nga opozita parlamentare, duke kaluar ligje që po riformatojnë dhe ndryshojnë thellësisht shumë fusha të jetës së përditëshme, duke përfituar nga mungesa e çdo lloj kontrolli institucional ne kushtet e mosfunksionimit të Gjykates Kushtetuese.

Administrimi i votës së popullit

Megjithëse KQZ është hequr nga Kushtetuta me ndryshimet e vitit 2008, rëndësia e komisionit për mirëfunksionimin e demokracisë mbetet e pandryshuar. Nuk mund të thuhet e njejta gjë për numrin e anëtarëve që e përbëjnë KQZ-në, i cili ka mbetur me vetëm 5 anëtarë nga 7 që duhet të ishin.

Me përjashtim të Kryetarit, anëtarët e tjerë janë haptazi në shërbim të bindur të shumicës, në shkelje të betimit të tyre për paanësi.

Presidenti

Aktualisht ka filluar procedura e shkarkimit të Presidentit të Republikës, një procedure e cila e afron më shumë situatën me thirrjen e bingos. Duke krijuar këtë luftë të hapur midis një shumice të zgjedhur dhe Presidentit të Republikës, cënohet çdo premisë për një president, i cili përfaqëson unitetin e popullit edhe sikur shkarkimi i tij të mos çohet deri në fund. Roli i Presidentit nuk kufizohet vetëm në vonesën e hyrjes në fuqi të ligjeve, por gjithashtu në emërimin e ambasadorëve të Shqipërisë, dhe emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, i cili pa dekretin e Presidentit nuk mund të fillojë punë.

Financat shtetërore

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit është aktualisht me mandat të përfunduar, pavarësisht se nuk lidhet me asnje procedure vetingu, arsye që deri tani konsiderohej herezi nëse nuk e pranoje si të mjaftueshme. KLSH ka mbetur pa drejtim efektiv prej më shumë se një viti, duke i ulur legjitimitetin, dhe për rrjedhojë edhe rëndësinë e raporteve të nxjerra prej saj.

Banka e Shqipërisë, një tjetër institucion i përmendur nga Kushtetuta, e cila deri me sot ka qenë një ishull autonomie, duke qenë se ligjini garanton vetë administrim të çdo gjëje deri tek pagat e punonjësve, ka hyrë këto ditë në vazhdën e cënimit.

Në kundërshtim të Ligjit për Bankën e Shqipërisë, një grup deputetësh kërkojnë shkarkimin e një anëtari të Këshillit Mbikqyrës, duke krijuar në këtë mënyrë precedentin dhe duke kërcënuar çdo anëtar të Keshillit se shërbimi i tij është thjesht në vullnetin dhe dëshirën e shumicës qeverisëse.

Në një vend me kulturë normale institucionale dhe me minimum të standardeve demokratike, mosfunksionimi i plotë i një institucioni të vetëm do të alarmonte këdo. Ndërkohë, në Shqipëri e gjitha kjo ka marrë trajtat e një loje fati duke pritur se cili do të jetë institucioni i rradhës.

Nuk na mbetet veç të presim, që më në fund dikush të thërrasë Bingo! për t’i dhënë fund kësaj loje.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>