
Ministria e Financave dhe Ekonomisë kundërshtoi sot deklaratat e kryetares së Bashkisë Shkodër Voltana Ademi se qeveria ka bllokuar pagesat dhe fondet e bashkisë.
Me anë të një deklarate për shtyp, Ministria sqaron se:
“Ditën e djeshme janë ekzekutuar nga Dega e Thesarit, Shkodër, të gjitha pagesat dhe urdhërpagesat e depozituara nga Bashkia Shkodër brenda orarit zyrtar dhe sipas gjithë procedurave ligjore.
Për këtë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit dhe Dega e Thesarit, Shkodër, ka gjithë dokumentacionin e nevojshëm përsa më sipër.
Kështu që bazuar mbi të gjitha këto arsyetime që paraqitëm më lart, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ju bën me dije, se ky dikaster është në funksion të zbatimit të ligjit për të gjithë qytetarët njësoj pa dallime.”
Dje kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi denoncoi se Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, nën varësinë e Ministrisë së Financave, ka njoftuar Drejtorinë e Thesarit Shkodër se mandati i Voltana Ademit ka mbaruar, ndaj nuk duhet të miratohet asnjë pagesë e Bashkisë ndaj palëve të treta.
Për këtë, Voltana Ademi vuri në dijeni Ministren e Financave Denaj dhe përfaqësitë e huaja në vend.