Kur padrejtësia sociale bëhet ligj, kundërshtimi i saj bëhet detyrë – Letër publike Kryeministrit Rama

Nga Mimoza Boçari

Puna, ndershmëria, e vërteta, drejtësia janë normat më të rëndësishme të çdo shoqërie që nga kohët e lashta. Edhe pse, shpesh, ato janë luftuar dhe eklipsuar nga e keqja, njerëzimi nuk i braktisi kurrë dhe historia tregoi se këto vlera janë nxitësit kryesorë të përparimit shpirtëror, shoqërore ekonomike të njerëzimit.

Por, prapë, evolucioni nuk ka mundur ta unifikojë karakterin njerëzor ashtu siç ka unifikuar anatominë trupore. Karakteri njerëzor shpesh sundohet nga frika, përtacia, indiferentizmi, mungesa e kurajos dhe vullnetit të cilat i bëjnë njerëzit të paaftë për të mbrojtur moralin shoqëror, duke e lënë fatin dhe të ardhmen e tyre në duart e njerëzve të pushtuar nga deliri, megallomania, makutëria dhe egoizmi i skajshëm.

Kjo nuk është histori e re. Sado dëshpëruese të duket, në moral dhe ndërgjegje çdo brez e nis nga fillimi. Ndërsa dija jonë rreth botës është rritur në mënyrë të paimagjinueshme përmes akumulimit, karakterialisht dhe moralisht nuk jemi zhvilluar më shumë se lashtësia. Mitologjia greke përshkruan qenie me pjesë trupore të përçudnuara. Ndër to, Kimera kishte kokën e luanit, trupin e dhisë dhe bishtin e gjarpërit dhe ishte mishërim i njerezve apo forcave që mashtrojnë, zhgënjejnë. Mijra vjet më vonë, kohët tona moderne janë të mbushura me kimera.

Mashtrimi ka qënë shoqëruesi ynë i pandarë pas daljes nga diktatura e gjatë komuniste, e cila i mësoi njerëzit të mbyllin gojën.“Virtuti” i bindjes politike dhe besnikërisë partiake, i kultivuar për gjysëm shekulli, u shfrytëzua mjeshtërisht nga psikologët pushtetarë, të cilët hynë në lojën e “re” politike si Kimera të përçudnuara që sakrifikuan duk i mashtruar të moralshmit dhe të drejtët, ndërkohë që shpërblyen me pushtet e kamje të pamoralshmit.

Zoti Kryeministër,

Po ju shkruaj këtë letër jo se dua t’ju filozofoj mbi të mirën dhe të keqes, apo se shpresoj që ju do të dëgjoni e reflektoni. Nuk kam të tilla iluzione. Po shkruaj thjesht që të mos mendoni se me mashtrim do t’i bëni gjithmonë njerëzit të ulin kokat e tyre të vogla dhe t’i nënshtrohen fatit si skllevër. Me këtë letër dua t’ju kujtoj se në vend të përuljes, e cila juve ju trimëron, ata mund të revoltohen e të ngrenë krye për të kërkuar lirinë dhe të drejtat e grabitura.

Edhe pse juve nuk ju frikëson asgjë, dua t’ju kujtoj se ju dhe politikanët e tjerë nuk keni asnjë të drejtë morale e njerëzore të nëpërkëmbni e mashtroni ata që ju besuan e votuan për premtimet që dhatë; ata njerëz që punojnë për rrogat dhe lluksin tuaj të shëmtuar, që durojnë rrugaçëritë tuaja, e që shikojnë se“ruajtësit”e Kushtetutës shkelin mbi të çdo ditë.

Zoti Kryeministër,

Jemi njohur bashkë në maj 2010, në grevën e urisë në mes të bulevardit. Në mënyrë të pazakontë, unë iu bashkova një grevë partiake sepse mendova se na bashkonte lufta për të drejtat kushtetuese – ju për atë të votës së lirë dhe unë për atë të pronës.

Gjatë grevës e pashë kujdesin që tregoje për ata njërëz të uritur, kur më pyesje i shqetësuar se a mund t’u ndodhte diçka e rrezikshme atyre burrave e grave që po sakrifikonin për të drejtën. Unë mbusha me shpresë nga ju dhe besova se lotët që pashë në sytë e tu ishin të vërtetë.

Kur Edi i shqetësuar dhe i dhimbsur i grevës u bë kryeministër mendova se, më në fund, në këtë vend do të sundonte Kushtetuta dhe ligjet, siç ti më ishe betuar. U ndjeva mirë edhe që ajo ditë, që mendova se kishte ardhur, kish ardhur edhe përmes sakrificës sime për ta bërë atdheun një vend ku sundon e drejta.

Por, Zoti Kryeministër, kjo “drejtësi” që unë jetoj dy vjet e ca pas ardhjes suaj në pushtet nuk është drejtësia që unë njoh. Kjo gjë më shqetëson, pasi më duhet, ose të riedukohem sipas rilindjes tuaj, ose të nënshtrohem. Por unë nuk bëj dot asnjërën.

Sot në Shqipëri vuan i ndershmi, përfiton i paafti, servili, i pamoralshmi, hajduti, gënjeshtari, mashtruesi, zuzari, krimineli. Qeverisja është shndërruar në një mekanizëm për zhvatjen e organizuar të popullit, me qëllim pasururimin tuaj dhe të familjarëve, shokëve e klientëve tuaj.

Kështu ishte dhe para se të vije ti në pushtet – kjo farë ka vite që është hedhur. Por ti ama erdhe në pushtet se premtove rilindjen. Dhe ne të besuam, pa e ditur se rilindja jote do të ishte rilindja e persekutorëve të vjetër dhe e hajdutëve të rinj. Ne as që mund ta shkonim nëpër mënd se kontributi ynë për të ardhur ju në pushtet ishte, në fakt, kontribut për të rilindur varfërinë dhe krimin.

Ju dukeni i pavetëdijshëm apo i patrazuar nga gjendja ku na keni sjellë. Humbja e çdo sensi të realitetit dhe mbivlerësimi që ju keni për veten tuaj janë shenja të psikozës së madhështisë. Madhështia është ndjenjë që individët shpesh nuk e përballojnë dot—madhështia i marros. E nëse marroset dikush si ju, që ka në dorë fatet e shumë njerëzve, kjo gjë është e rrezikshme, sepse shkatërron jetë.

Ndonëse jeni truri dhe dora e gjithë mbrapshtësisë ku po jetojmë sot, ju hiqeni dhe predikoni si shëronjës apo shenjtor. Kaq idiot e budalla ju duket ky popull, Zoti Kryeministër? Kaq i sigurtë jeni se një grusht njerëzish, me ju në krye, do ta mbajnë përherë të nënshtruar sgjithë popullin?

Ju ndoshta besoni tek mefshtësia dhe përulja që ne kemi treguar kaq gjatë për ju dhe ata që na kanë sunduar para jush. Por unë besoj se po vjen dita që populli nuk do ju durojë më, as ju dhe as klasën e degraduar dhe të kalbur politike që ka në krye kimera si ju. Unë besoj se ne do të gjejmë kurajon dhe forcën për t’u bërë bashkë kundër jush dhe njerëzve si ju.

E mira në fund triumfon gjithmonë mbi të keqen. Maskarenjtë si ju, edhe pse sundojnë për pak kohë, një ditë ndeshin fundin e tyre dhe turpin e përjetshëm. Këtë fund nuk e shmang dot as paraja me të cilin ju blini të pamoralshmit dhe as dhuna shtetërore apo e kriminelëve që ju komandoni. Ky popull, edhe pse shpesh ka vonuar, gjithmonë e ka gjetur forcën dhe kurajon për ta shporrur të keqen. Ndaj unë shpresoj se, shpejt, njerëzit do t’i lënë mënjanë konstatimet e ankimet e do t’i dalin për zot vetes.

Ju jeni produkt i shoqërisë sonë, e cila ka humbur moralin e ndërshmërinë, ka humbur vullnetin, ka humbur respektin për dinjitetin njerëzor. Ju jeni produkt i kohës kur paaftësia mbyti aftësinë dhe imoraliteti triumfoi mbi moralin. Por njerëzit e bashkuar dhe me kurajo t’u kthyer tek morali do të jenë fundi juaj dhe i kohës suaj.

Ne nuk do të vazhdojmë më të zgjedhim mes të këqijash, nën shpresën e të keqes më të vogël. Sepse e dimë se interesi i vogël i çastit, nuk të shpëton nga vdekja, por vetëm të zgjat agoninë.

Kur padrejtësia sociale bëhet rregull, rezistenca ndaj saj bëhët domosdoshmëri, përndryshe ne jemi të humbur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>