Elseid Hysaj nuk ka mundur të udhëtojë sot për t’iu bashkuar grumbullimit të kombëtares. Shkak për këtë është bërë lëndimi që pësoi në ndeshjen e së dielës kundër Torinos.
Mbrojtësi 25 vjeçar u rrëzua gjatë një dyluftimi për top me mbrojtësin e Torinos Ansaldi. Kishte kaluar rreth gjysmë ore lojë dhe në rrëzim Hysaj zuri keq qafën. Lëndimi ishte serioz pasi shkodrani u nxorr nga fusha me barelë.
Fatmirësisht Hysaj nuk ka pësuar lëndime të shtyllës kurrizore. Në një komunikatë për shtyp, klubi i Napolit njoftoi se:
Thyerje e pjesshme e dërrasës së kraharorit. Pas një ekzaminimi klinik dhe radiologjik është kjo diagnoza e fundit për Elseid Hysajn, i cili doli nga loja pas një përplasjeje në sfidën Torino-Napoli. Mbrojtësi nuk do të niset për në angazhimet me kombëtaren shqiptare.
Vetë shkodrani postoi në Instagram një mesazh lehtësues ku tha se “falë zotit ishte mirë”.
Hysaj po lunate ndeshjen e tij të 3 për këtë sezon. Vitin e fundit ai e ka humbur vendin e titullarit, pasi trajneri Carlo Ancelotti vlerëson më tepër italianin Giovanni Di Lorenzo.
Për kombëtaren është një mungesë e rëndësishme duke patur parasysh se ai ka qenë kapiteni në 4 nga 6 ndeshjet e fundit dhe krahët e mbrojtjes kanë patur probleme serioze në lojën e trajnerit Edy Reja.
Më 11 dhe 14 tetor Shqipëria luan jashtë ndeshjet kundër Turqisë dhe Moldavisë. Lëndimi i Hysajt kushtëzon shumë kombëtaren. Në të djathtë trajneri Reja nuk ka alternativa. Nëse luhet me 4 mbrojtës, roli i të djathtit mund t’i besohet Ardian Ismajlit ose Federik Veselit, të cilët nuk e kanë rol natyral. Nëse luhet me 3 qendror, krahu i djathtë në mesfushë do të bëhet Odise Roshi.
Nga klubi italian nuk është bërë ende me dije se sa do të jetë periudha e riaftësimit për Hysajn, por me gjasa ai do të jetë jashtë fushe për të paktën 1 muaj.