Kryetarja e grupit parlamentar ‘Demokrat’ Rudina Hajdari ka deklaruar se është kërcënuar nga deputetë të tjerë brenda zyrës së saj në kryesinë e Kuvendit.
Duke folur në Kuvend, deputetja Hajdari u shpreh:
“Nuk mund të ndodhë sot që në 2019 deputetët të kërcënohen. Është e papranueshme që një femër të kërcënohet.
Kam pasur raste që persona kanë ardhur në zyrën time dhe më kanë kërcënuar. Nuk mundet që kjo të ndodhë më, ka ikur ajo kohë.”
Zonja Hajdari i bëri thirrje kryetarit të kuvendit Gramoz Ruçi që të marrë masa për të siguruar sigurinë e deputetëve në kuvend:
“Ju lutem, zoti kryetar merrni masa para se të kemi një viktimë këtu në Parlament. Ju kërkoj edhe njëherë se siç janë masat këtu në Kuvendin e Shqipërisë të jenë të njëjtat masa edhe në Kryesinë e Kuvendit.
Asnjë deputet nuk duhet të hyjë pa u kontrolluar mirë, asnjë deputet nuk duhet të marrë përforcime me persona të tjerë dhe të shantazhojë deputetët e tjerë.”
Deputetja Hajdari tha se për këtë ngjarje i ka dërguar një shkresë zyrtare Zoti Ruçi, i cili lajmëroi se ia ka përcjellë letrën Ministrisë së Brendshme.
Deputetja Hajdari nuk përmendi emrin e deputetit i cili e ka kërcënuar por gjatë fjalës së saj në kuvend tregoi me gisht nga deputeti Korab Lita. Ky i fundit pretendon se është drejtuesi i grupit parlamentar ‘Demokrat’.Deputeti Lita mohoi të ketë kërcënuar deputeten Hajdari.
I ashtuquajturi grupi “Demokrat” përbëhet nga 9 deputetë të rinj të dalë nga listat e Partisë Demokratike, që nuk pranuan të zbatonin vendimin e partisë për të lënë mandatet.
Rreth 2 javë më parë, 7 prej 9 deputetëve, përfshi dhe Korab Litën, kërkuan shkarkimin e Hajdarit si kryetare e grupit dhe zgjedhjen e Litës në vend të saj.
Por më pas, deputetja Hajdari denoncoi se të paktën 2 prej deputetëve që fillimisht kanë firmosur pro shkarkimit të saj janë vënë nën presion nga Korab Lita dhe se më pas e kanë tërhequr firmën.
Zyrtarisht kryetare e grupit parlamentar ‘Demokrat’ vazhdon të mbetet Rudina Hajdari.