Deputetja Rudina Hajdari merret në mbrojtje

Nga Exit News
Deputetja Rudina Hajdari merret në mbrojtje

Minisitria e Brendshme ka vendosur të marrë në mbrojtje deputeten Rudina Hajdari, pak ditë pas deklaratës së saj se është kërcënuar me jetë brenda zyrave të kuvendit.

Kryetares së grupit parlamentar ‘Demokrat’ i është caktuar një punonjës garde për tu kujdesur për sigurinë e saj fizike.

Zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari njoftoi po ashtu se për këtë çështje ka nidur hetimi dhe si ministria, ashtu dhe kuvendi kanë rritur masat e sigurisë për deputetët.

Më 28 tetor, kryetarja e grupit parlamentar ‘Demokrat’ Rudina Hajdari deklaroi se është kërcënuar nga deputetë të tjerë brenda zyrës së saj në kryesinë e Kuvendit.

Deputetja Hajdari tha se për këtë ngjarje i ka dërguar një shkresë zyrtare Zoti Ruçi, i cili lajmëroi se ia ka përcjellë letrën Ministrisë së Brendshme.

Ajo nuk përmendi emrin e deputetit i cili e ka kërcënuar por gjatë fjalës së saj në kuvend tregoi me gisht nga deputeti Korab Lita. Ky i fundit pretendon se është drejtuesi i grupit parlamentar ‘Demokrat’.Deputeti Lita mohoi të ketë kërcënuar deputeten Hajdari.

I ashtuquajturi grupi “Demokrat” përbëhet nga 9 deputetë të rinj të dalë nga listat e Partisë Demokratike, që nuk pranuan të zbatonin vendimin e partisë për të lënë mandatet.

Rreth 2 javë më parë, 7 prej 9 deputetëve, përfshi dhe Korab Litën, kërkuan shkarkimin e Hajdarit si kryetare e grupit dhe zgjedhjen e Litës në vend të saj.

Por më pas, deputetja Hajdari denoncoi se të paktën 2 prej deputetëve që fillimisht kanë firmosur pro shkarkimit të saj janë vënë nën presion nga Korab Lita dhe se më pas e kanë tërhequr firmën.

Zyrtarisht kryetare e grupit parlamentar ‘Demokrat’ vazhdon të mbetet Rudina Hajdari.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>