Futbolli ka ndryshuar me kohën, por rekorde të shumta mbeten të pathyera. Një prej tyre është ai i realizimit të më shumë golave në një kampionat të Bundesligës.
Ky rekord ka 47 vite që nuk thyhet dhe ende mbahet në librat e historisë së futbollit gjerman, nga legjenda Gerd Muller.
Por në Gjermani ditët e fundit po flasin me pritshmëri të larta se një tjetër sulmuesi i Bayernit, Robert Lewandowski mund t’ia dalë e të shënojë më shumë gola se ai.
Sa është rekordi? 40 realizime në 34 ndeshje. Muller shënoi kaq shumë në sezonin 1971-1972. Lojtari i fundit që provoi t’i afrohej ishte Aubameyang, por në sezonin 2016-2017 ai u ndal në totalin 31 realizime. Vetë Lewandowski ka kapur maksimumin 30 gola në Bundesligë, 4 vite më parë.
Sidoqoftë ajo që i bën pritshmëritë e larta këtë sezon është nisja e këtij kampionati. Forma e polakut ka qenë e jashtëzakonshme me 20 gola në 16 ndeshje.
Për 31 vjeçarin 14 gola janë shënuar në 10 javët e këtij sezoni të Bundesligës. Në fakt me golin e realizuar në humbjen (5-1) të fundjavës kundër Frankfurtit, Lewandowski përmirësoi rekordin e tij me gola radhazi në 10 javët e para të një kampionati.
Shtypi gjerman përllogarit se mesatarja e realizimit të tij është me 1.44 gola për ndeshje, që nëse do të mbahet me të tillë rendiment deri në fund do t’i dhurojë Lewa’s 49 gola në kampionat.
I pyetur për pritshmëritë për të thyer rekordin e Muller, Lewandowski është shprehur se momentalisht është herët të flitet për të, por që ai nuk e ka mohur se ky është një nga synimet e këtij sezoni.