Pallati i Kulturës, në qendër të Tiranës, është një nga ndërtesat më të rëndësishme dhe më të famshme të gjithë Shqipërisë.
Por prej vitesh, pjesa më e madhe e godinës është në pronësi dhe administrim të një ndërmarrjeje famëkeqe italo-shqiptare emërtuar Qendra Tregtare e Zhvillimit Kulturor shpk (QTZHK). Pronarë të QTZHK-së janë kompania italiano Technosystem s.r.l., e cila zotëron 55 përqind të kapitalit, dhe qeveria shqiptare, e cila zotëron pjesën tjetër të kapitalit përmes Ministrisë së Ekonomisë.
Shoqëria, e krijuar në vitin 1992, kishte kohëzgjatje 20 vjeçare dhe duhej të kishte mbyllur aktivitetin në dhjetor 2012. Statuti dhe ligji i shoqërisë së përbashkët parashikonin që në përfundim të afatit, shoqëria duhej të likujdohej, pasuritë e saj të patundshme duhet të shiteshin me çmimin e tregut dhe të ardhurat t’u shpërndaheshin ortakëve në bazë të pjesëvë të kapitalit në zotërim.
Por kjo gjë nuk ndodhi. Në të vërtetë ortaku italian vuri në lëvizje një sërë veprimesh mashtruese për të përfituar përtëritjen e shoqërisë edhe për 10 vite të tjera, deri në vitin 2022. Në këtë mënyrë, italianët do të vazhdojnë të shfrytëzojnë një nga ndërtesat më të rëndësishme në Shqiëpri të fituar për një grusht dollarësh.
Shumë muaj para përfundimit të afatit të shoqërisë, partnerët italianë filluan të ndërmerrnin njëri pas tjetrit një sërë veprimesh administrative, në shkelje të ligjit dhe statutit të kompanisë, të cilat çuan gradualisht në realizimin e qëllimit final të shtyrjes së afatit të shoqërisë.
Në bazë të dokumentave të gjendura në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Shoqërive (QKR) mund të ndërtohet lehtë gjithë rrugëtimi i këtij mashtrimi.
Proçesi i grabitjes fillon në mbledhjen e asamblesë së ortakëve të shoqërisë të datës 12 maj 2011, proçes-verbali i së cilës është depozituar në QKR më datë 2 qershor 2011.
Në mbledhje kanë qenë të pranishëm ortaku italian Technosystem s.r.l., përfaqësuar nga Giovanni Degennaro; administratori Klidi Baboci; dhe këshilltari Vincenzo Pastoressa; në prani të noteres Mimoza Sheku dhe përkthyeses Miranda Sauku.
Në proçes-verbal nuk ka asnjë referencë të thirrjes për mbledhjen e asamblesë dhe njoftimi i të gjithë ortakëvë për mbledhjen, që në bazë të statutit duhet të bëhej 15 ditë përpara datës së parashikuar për mbledhjen. Së bashku me njoftimin, ortakët duhet të kishin marrë praprakisht kopje të dokumentave që do të diskutoheshin në mbledhje, përfshi ndryshimet në statutin e kompanisë që ishin përfshirë në rendin e ditës.
Proçes-verbali nuk përmend faktin që në mbledhje mungoi përfaqësuesi i ortakut Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE) që zotëron 45 përqind të aksioneve, e cila, gjykuar nga proçesverbali, ka gjasa të mos jetë njoftuar fare për mbledhjen.
Në këtë mbledhje, asambleja—pra, praktikisht ortaku italian—vendosi miratimin e statutit të ri të shoqërisë, për ta përshtatur me kërkesat e ligji të ri të shoqërive tregtare Nr. 9901/2008. Por, në mungesë të ortakut shtetëror, ndryshimi i statutit ka qenë i paligjshëm, pasi statuti në fuqi, në momentin e mbledhjes, sanksiononte që ndryshimet statutore kërkonin votën e të paktën 3/4 të aksionerëve të shoqërisë, pra nuk mund të bëheshin pa miratimin e qeverisë që zotëron 45 për përqind.
Në fakt, një ndër ndryshimet statutore që u vendos në mbledhje, eleminonte, pikërisht, domosdoshmërinë e pëlqimit të qeverisë për ndryshimet statutore në të ardhmen. Sipas statutit të ri, të miratuar në mbledhje, tashmë ndryshimet statutore mund të bëhen me votat e 3/4 të aksionerëve pjesëmarrës në mbledhjen e asamblesë.
Ndërsa deri në atë moment statuti parashikonte që vendimet në lidhje me ndryshimet në statut mund të merreshin vetëm me pëlqimin e të dy ortakëve, shtetit dhe partnerit italian, me ndryshimet e bëra partneri italian i dha vetes të drejtën ta ndryshojë i vetëm statutin, mjaft që të shmangë pjesëmarrjen në mbledhje të përfaqësuesit të qeverisë.
Ndryshim i statutit qe një shkelje e hapur dhe e drejtpërdrejtë e ligjit, dhe mund të anullohej lehtë, por ortaku shtetëror, METE, nuk reagoi asnjëherë.
Ndryshimi i mënyrës së ndryshimeve statutore, hapi rrugën për një tjetër manovër të ortakëve italianë me qëllim përvetësimin e padrejtë të Pallatit të Kulturës. Për këtë mjaftoi një tjetër mbledhje asambleje për një ndryshim tjetër në statut – zgjatjen e kohës së përfundimit të shoqërisë më 10 vjet, pra deri në dhjetor 2022,
Asambleja u mblodh më datën 21.12.2012 dhe proçesverbali i mbledhjes është depozituar në QKR me datë 30.11.2012. Edhe në këtë mbledhje ortaku METE nuk është paraqitur dhe nuk është e qartë nëse është njoftuar për mbledhjen apo jo. Duke shfrytëzuar të drejtën e fituar në mënyrë të paligjshme në mbledhjen e mëparshme për ndryshimin e statutit, ortaku italian, duke përdorur arsye fallso dhe tendencioze, vendos shtyrjen e kohëzgjatjes së shoqërisë për 10 vite të tjera.
Për të justifikuar nevojën e shtyrjes së kohëzgjatjes së shoqërisë, janë paraqitur një listë kontratash të qiradhënies së mjedisve të Pallatit me afate skadimi përtej datës së parashikuar të likujdimit të kompanisë. Mbi këtë bazë, ortaku italian ka argumentuar se likuidimi i shoqërisë për shkak të përfundimit të afatit të saj, do të sillte prishjen e njëanshme të kontratave të qiradhënies dhe për pasoja kërkesa për dëmshpërblime nga ana e qiramarrësve.
Ne kemi verifikuar se lista e paraqitur është e fallsifikuar. Nga ana tjetër, edhe sikur lista të ishte e vërtetë, duhej ngritur pyetja: me ç’të drejtë, administratorët e shoqërisë kanë mundur të lidhin kontrata përtej kohëzgjatjes së kësaj shoqërie? Edhe në rast se do të kishte kërkesa për dëmshpërblime nga ana e qiramarrësve, ky do ishte një dëm i shkaktuar nga papërgjegjshmëria dhe shkeljet ligjore të administratorit dhe, për pasojë, dëmi duhet të paguhej nga vetë administratori, pa e transferuar tek ortakët.
Në këtë mënyrë, përmes një serie mashtrimesh, ortakët italianë siguruan mbajtjen e Pallatit edhe për 10 vjet të tjera pa patur nevojë për të dhënë asnjë kontribut apo investim.
Në shoqërinë fillestare me jetëgjatësi 20 vite (1992-2012), shteti shqiptar kishte kontribuar në shoqërinë e përbashkët një hapësirë prej rreth 10 mijë m2 të Pallatit të Kulturës (të vlerësuar në mënyrë skandaloze me vlerë prej 1,3 milionë dollarë amerikanë), partneri italian kishte marrë përsipër të kontribonte rreth 1,6 milionë dollarë investime—investime që, në fakt, nuk janë bërë asnjëherë.
Për 10 vitet e dyta të shoqërisë së përbashkët, ndërsa shteti shqiptar kontribon sërish sipërfaqen e 10 mijë m2, partneri italian nuk ka asnjë detyrim investimi apo kontributi. Në këtë mënyrë ai do të ketë vetëm përfitime pa asnjë kosto.
Në të vërtetë, kjo nuk është diçka e re dhe të gjithë qytetarët shqiptarë mund ta verifikojnë vetë që investitorët italianë, në 20 vjet nuk kanë dashur kurrë të investojnë, nuk kanë zëvendësuar në fakt as hyrjet e jashtme, as nuk kanë marrë masa për të shtruar oborrin e jashtëm, duke e lëne Pallatin e Kulturës në një gjendje mjerimi, duke vazhduar të lëshojnë me qira një numër të madh zyrash publike italiane dhe puljeze (përfshirë dhe Ambasadën Italiane dhe zyrat e INTERPOLIT) që shërbejnë si një mburojë për një përvetësim të kryer me mashtrim.
Të gjitha të dhënat e përmendura më sipër janë marrë nga dokumentet publike të QKR-së dhe që mund të verifikohen lehtësisht edhe nga publiku. Qeveria ndërkohë ka informacion edhe më të plotë në lidhje më abuzimet e bëra me Pallatin e Kulturës.
Nuk duhet ekspertizë e veçantë për të verifikuar shkeljet penale të kryera nga funksionarë të ndryshëm të METE-s, sikurse veprimet e hapura kriminale të mashtrimit dhe fallsifikimit të dokumentave nga partnerët italianë. Këta investitorë mashtrues, janë aktualisht nën një sërë hetimesh për mashtrim në Itali për vepra shumë më të lehta sesa ato të kryera në Shqipëri. Por në Shqipëria askush nuk shqetësohet për pasuritë publike: përmes mashtrimit dhe korrupsionit në Shqipëri mund të grabisësh çdo gjë.
Kryeminisitri Rama ka kërkuar përherë fakte në publik për korrupsion dhe shkelje, duke u mburrur se do jetë i pamëshirshëm me ata që janë përgjegjës. Pallati i Kulturës i grabitur është një “fakt” që bën mú, mu në mes të Tiranës.
Artikull i lidhur: