Prefesionistët e lirë deklaruan sot se do të dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese ligjin për pagat e referencës për sigurimet shoqërore. Me anë të një letre, Asambleja e Profesioneve të Lira u shpreh se pagat referuese, vendosor nga qeveria, nuk janë në koherencë me aktivitetet e tyre. Ata kërkojnë që sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të paguhen mbi bazën e xhiros që aktivitetet kanë.
“Koherencë është çdo lloj deklarimi i xhiros që bëjnë këta profesionistë të lirë dhe ajo duhet të shërbejë si bazë e tatueshme dhe kjo të paktën për kontributet e sigurimeve shoqërore,” u shpreh Erion Dizdari, koordinatori i Asamblesë. Ai tha se shoqatat e profesioneve të lira po organizohen së bashku për të kundërshtuar këto ndryshime ligjore të padrejta.
Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave përcaktoi pagat referuese, mbi të cilat profesionistët e lirë do të paguajnë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Paga referuese më e ulët për 23 profesione që cilësohen si të lira (noterët, mjekët, farmacistët, arkitektët, mësuesit, avokatët etj) u vendos 40 250 lekë, ndërsa më e larta 88 800 lekë.
Ndryshimet në ligjin “Për sigurimet shoqërore” u miratuan në Kuvend në dhjetor të vitit të kaluar, pavarsisht protestave të grupeve të interesit.