Arrestimet dhe mbylljet e mediave për “panik”, dhunim i të drejtave të njeriut

Nga Megi Ndregjoni
Arrestimet dhe mbylljet e mediave për “panik”, dhunim i të drejtave të njeriut

Vendimi i qeverisë Rama për të mbyllur portalet dhe ndaluar personat që postojnë lajme apo mesazhe që ajo përcakton se përhapin panik tek qytetarët është i paligjshëm dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Qeveria e ka përdorur justifikimim se portalet prodhojnë fake news për të kufizuar lirinë e mediave. Madje ajo ka hartuar një ligj të posaçëm që autorizon mbylljen e portaleve që sipas saj prodhojnë lajme fallco.

Dy ditë pas tërmetit të 26 nëntorit, Kryeministri Edi Rama lajmëroi se do të “ndërhynte me forcë” në mediat që përhapnin lajme të rreme.

Ai tha se ky vendim bazohej në ligjin e gjendjes së jashtëzkonshme. Në dy postime në Tuitër Kryeministri shkroi:

Në këtë situatë të jashtëzakonshme, ku duhet matur çdo fjalë është e patolerueshme që të publikohen sharlatanizma delirantësh vendas a të huaj apo të shtrembërohen, sipas avazit të zakonshëm, prononcimet e shpjegimet e arsyeshme të ekspertëve! Stop dhe stop tani! Menjëherë!”

Paralajmëroj për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtëzakonshme, do jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik!

Pas këtij statusi, policia ka nisur hetimet penale për dy administratorë të faqes Jeta Osh Qef dhe arrestoi një qytetare nga Durrësi, Xhulia Aliaj, 25 vjeç.

Nëse do t’i referohemi ligjit, është e qartë edhe sikur portali dhe vajza të kishin për qëllim përhapjen e panikut, hetimi apo arrestimi i tyre është shkelje e ligjit dhe dhunim i të drejtave të njeriut.

Ligji për Mbrojtjen Civile, neni 49, përcakton qartë se media për raportimin e fatkeqësive natyrore, dëmeve, viktimave apo mundësisë për ndodhjen e ngjarjeve të tjera duhet t’i referohet burimeve zyrtare. Në rast të kundërt, duhet të referojnë burimin nga ku kanë marrë informacionin.

Nga ana tjetër, në asnjë nen të këtij ligji nuk referohen masat që duhet të marri qeveria, në rast se media nuk përmbush një nga kriteret e mësipërme, ose nëse një qytetar shkruan një status alarmant në Facebook.

Xhulia Aliaj, pavarësisht se nuk i nënshtrohet këtij ligji, është plotësisht në përmbushje të ligjit. Ajo ka publikuar një artikull të një portali në Itali dhe e ka shoqëruar me një status.

Arrestimi i saj përveç se është i paligjshëm, pasi nuk ka asnjë ligj që sanksionon arrestimin për postime të tilla, shkel brutalisht të drejtat e saj njerëzore, të sanksionuara në Kushtetutën e vendit dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat garantojnë lirinë e shprehjes.

Gjykata e Europiane e të Drejtave të Njeriut në Straburg ka trajtuar posaçërisht çështje që lidhen me postime individuale në rrjete sociale. Në çështjen Cumpănă dhe Mazăre kundër Rumanisë, ajo është shprehur:

“…[K]ur ushtrojnë lirinë e tyre të shprehjes, gazetarëve u kërkohet të veprojnë me mirëbesim, në mënyrë që të sigurojnë informacione të sakta dhe të besueshme, në përputhje me etikën e gazetarisë.

Shtetet duhet të shmangin marrjen e masave që mund të pengojnë mediat të përmbushin rolin e tyre. Për më tepër, gazetarët do të pengohen të raportojnë për çështje me interes publik nëse ata rrezikojnë të dënohen me burg.”

Në një çështje tjetër, atë të një politikane të Partisë së Gjelbër austriake, Eva Glaëischnig-Piesczek kundër Facebook, e cila kërkoi heqjen e komenteve kundër saj të postuara nga një përdorues, GJEDNJ urdhëroi se platformat e medias sociale mund të urdhërohen nga autoritete shtetërore të heqin materialet e paligjshme ose të bëjë të pamundur aksesimin e këtij materiali.

Në asnjë fjalë vendimi i GJEDNJ-së nuk thotë se autoritetet shtetërore duhet të arrestojnë qytetarët.

Madje edhe ky vendimi i GJEDNJ është kritikuar nga organizatat e lirisë së medias dhe të shprehjes në botë, të cilët e quajnë çdo ndërhyrje të qeverisë si dhunim të të drejtës së shprehjes.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>