Qeveria ka vendosur t’u mbajë pagën edhe mësuesve, njësoj siç ka urdhëruar të bëjë për policët dhe punonjësit e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH).
Burime të Exit News bënë me dije se “është vendosur që gjysma e një page mujore të mësuesve të Tiranës të shkojë për tërmetin”.
Lajmi mbetet për t’u konfirmuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit, por është tregues i qartë se qeveria po ua shpërndan barrën kryesore qytetarëve.
Janë me mijëra mësues, të cilët mund të ndikohen jo pak nga ky urdhër, i cili shkon paralel me urdhërat e komunikuar më parë Policisë dhe KLSH-së.
Mëngjesin e sotëm, Exit News raportoi se policët dhe audituesit e KLSH-së ishin urdhëruar që të kontribuonin me shifra të konsiderueshme nga pagat e tyre për tërmetin, ndërsa Bashkia Tiranë kishte anuluar shpërblimet e dhjetorit.
Kontributi me urdhër nuk është solidarizim dhe as kontribut vullnetar, por detyrim për t’iu marrë punonjësve të administratës një pjesë të pagës. Në këtë mënyrë qeveria po përpiqet të shmangë rishikimin edhe më tej të buxhetit, apo të fondeve të parashikuara për koncesionet.