Liverpooli fiton titullin kampion bote për klube, objektivi i radhës kampionati

Nga Redaksia
Liverpooli fiton titullin kampion bote për klube, objektivi i radhës kampionati

Pas 99’ minutash lojë, me një gol të Roberto Firminos, Liverpooli fitoi ndeshjen ndaj Flamengos dhe u shpall për herë të parë në historinë e saj kampione bote për klube. Ndeshja u zhvillua në Doha të Katarit dhe ishte e vështirë. Falë përvojës së suksesshme të trajnerit Jorge Jesus, brazilianët vinin në këtë kompeticion si fitues të Kupës Libertadores, trofe të cilin nuk e fitonin prej 38 vitesh.

Pas triumfit Jurgen Klopp ia kushtoi suksesin lojtarëve dhe tifozëve. Një sezon më parë ai numëronte 6 finale radhazi të humbura duke përfshirë këtu 2 finale në Champions League, 1 në Europa League, Kupë Lige të Anglisë, dhe 2 Kupa Gjermanie.

Mirëpo gjërat kanë ndryshuar. Falë ngritjes së një skuadre fantastike me lojtarë me përgatitje të jashtëzakonshme atletike, Liverpooli ka mundur të korrë suksese.

Pas Champions-League-ës sezonin e shkuar, 6 herë kampionët e Evropës fituan këtë sezon edhe Super-Kupën e Evropës duke mundur Chelsea-in. Me titullin Kampionë Bote për Klube, ata përmbyllin një sezon të përkryer, së cilit i mungoi vetëm kampionati.

Kampionati i vitit të shkuar u fitua nga Manchester City me 98 pikë, Liverpooli e mbylli me një pike më pak duke shënuar rekord për futbollin anglez si skuadra me më shumë pikë (97) që nuk arrin ta fitojë titullin.

Të kuqtë nuk e fitojnë kampionatin anglez prej 30 vitesh dhe dëshira më e madhe e Klopp është që të bëhet trajneri i parë që pas riformatimit të kampionatit që ia rikthen titullin Liverpoolit.

Situata është premtuese këtë sezon, pasi ata kryesojnë me 10 pikë distancë nga Leicester City i vendit të dytë. Por fundi i dhjetorit dhe janari pritet të jetë vendimtar për ecurinë pasi në kalendar parashikohen shumë ndeshje.

Në fakt pikërisht prej kalendarit dhe rregullave strikte të futbollit anglez Liverpoolit iu desht që edhe pse ishte e angazhuar në Kupën e Botës, të lunate me skuadrën e dytë ndeshjen çerek-finale me Aston Vilën në Kupën e Ligë, neshje e humbur 5-0, çka do të thotë se të luajturit në nivele të larta kërkon gjithmonë sakrifica.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>