Nisma Thurje dërgoi sot në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore.
Mjeku Artan Koni dhe aktivisti i Nismës Thurje, Endri Shabani treguan për mediat se kishin ngritur kallëzim ndaj zyrtarëve të përfshirë në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore, por nuk përmendën emra konkretë. Ata thanë se kallëzimi u bazua në dyshimet mbi koston, cilësinë dhe kohëzgjatjen e këtij koncesioni.
“Mendojmë se duhet hetuar edhe nëse mënyra se si është parashikuar paketimi i seteve në kontratë ka ndikuar në rritjen artificiale të seteve të përdorura. Shumë mjekë kanë ngritur shqetësimin se ndarja e seteve nuk i përshtatet mirë diversitetit të nevojave të operacionit, dhe shpesh i detyron ata të hapin disa sete të sterilizuara vetëm për një instrument kirurgjikal, çka mund të jetë jo efiçente, duke krijuar kosto të panevojshme për buxhetin e shtetit.”
Sterilizimi i paisjeve mjekësore është një nga koncesionet më të mëdha të qeverisë dhënë në kohën kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Ilir Beqaj. Ky koncesion ka kosto totale rreth 70 milionë euro për 10 vite dhe është një nga 4 koncesionet e dhëna në shëndetësi së bashku me check-up-in, dializën dhe laboratorët.