Qarku Dibër i ka dhënë sot titullin “Nderi i Qarkut Dibër” Haxhi Lleshit, ish-kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe një prej të besuarve të diktatorit Hoxha.
Vendimi erdhi pas një kërkese të bërë nga Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me 24 tetor të këtij viti. Për këtë fakt ka reaguar Partia Demokratike që e ka konsideruar një akt të papranueshëm, i cili duhet të shfuqizohet.
Në një postim në faqen e saj në Facebook, ish deputetja e PD, Dhurata Çupi shkruan:
“Dhënia një titulli të tillë për xhelatin e Dibranëve, dhe familjeve me emer Matjane, është i papranueshëm dhe duhet të anullohet një orë e më parë.”
Haxhi Lleshi pasi mori pjesë në Luftën Nacional-Çlirimtare ishte funksionar i lartë i diktaturës së Enver Hoxhës. Fillimisht Ministër i Brendshëm deri në vitin 1946 më pas Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor deri në vitin 1982.
Në fillim të viteve ’90 Lleshi ishte ndër më shumë se 30 ish-zyrtarët komunist që u akuzuan për krime. Lleshi përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që ngarkon me përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qenë anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale.