Pema e zbukuruar me drita dhe e mbushur me dhurata duket si simboli i Krishtlindjeve dhe festave të fundvitit kudo në botë. Por ka plot vende që për Krishtlindje kanë tradita ‘të çuditshme’.
Exit News sjell më poshtë disa nga traditat më të pazakonta të Krishtlindjeve në të gjithë botën.
Babagjyshët me patina në Venezuelë
Në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, banorët vishen si Babagjysh dhe shkojnë në kishë mëngjesin e Krishtlindjeve me patina. Aq e rëndësishme është kjo traditë në Karakas, sa më 25 dhjetor, ndalohet qarkullimi i makinave në mënyrë që qytetarët me patina të shkojnë të qetë në kishë.
Pema e zbukuruar me rrjeta merimangash në Ukrainë
Nëse në shumicën e vendeve, pema e Krishtlindjeve zbukurohet me topa me ngjyra dhe drita, në Ukrainë pema zbukurohet me rrjeta merimangash, tashmë plastike kuptohet.
Shekuj më parë, një grua e varfër nuk kishte mundësi t’i blinte fëmijëve të saj zbukurime për pemën e Krishtlindjeve.
Legjenda thotë se merimangat në shtëpi e gruas, ndien keqardhje për pamundësinë e gruas dhe gjatë natës, formuan rrjeta në një lule në shtëpi. Mëngjesin e Krishlindjeve, fëmijët e gjetën lulen të zbukuruar me plot rrjeta të thurur bukur nga merimangat.
Rrjetat e merimangave gjithashtu konsiderohen fatsjellëse në kulturën e Ukrainës.
Pula e skuqur në Japoni
Në vitin 1974, rrjeti i ushqimit të shpjet Kentucky Fried Chicken filloi një fushatë marketingu me sloganin ‘Kentucky për Krishtlindje’. Kjo fushatë pati aq shumë sukses në Japoni, sa është kthyer në një traditë që vazhdon edhe sot. Edhe pse Krishtlindja nuk është festë kombëtare në Japoni, familjet nga e gjithë vendi shkojnë në pikat KFC-së pranë tyre për drekën e Krishtlindjes.
Kastraveshi turshi në Gjermani
Familjet gjermane, gjatë zbukurimit të pemës, fshehin nëpër degë një kastravec turshi plastik. Tradita e do, që ditën e Krishtlindjes, kush prej fëmijëve e gjen, merr një dhuratë.
Dhuratat në këpucë në Holandë
Në Holandë, fëmijët lënë këpucët e tyre pranë oxhakut ose dritares. Babagjyshi, që thuhet se vjen nga Spanja, futet brenda shtëpisë nga oxhaku ose dritarja, dhe i lë dhuratat në këpucët e rreshtuara.
Sipas legjendës, ndihmësit e babagjyshit, i merrnin fëmijët që janë sjellë keq gjatë vitit, dhe të futur nëpër thasë, i çonin në Spanjë.