Sindikata: Të sqarohen e arsyet e shkarkimit të zv/dekanit të Inxhinierisë Agim Seranaj

Nga Redaksia
Sindikata: Të sqarohen e arsyet e shkarkimit të zv/dekanit të Inxhinierisë Agim Seranaj

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka kërkuar sqarimin e arsyeve që sollën shkarkimin e zv/dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN) Agim Seranaj.

Në një letër drejtuar Dekanit të FIN Neritan Shkodranit dhe Rektorit të Universitetit Politeknik të Tiranës Andrea Maliqari, SPUSH ka kërkuar pezullimin e shkarkimit të zotit Seranaj deri në sqarimin e plotë të motivacionit.

Zoti Seranaj ishte shprehur në media se dëmet e tërmetit të 26 nëntorit ishin kryesisht nga gabime të ndërtimit dhe pati folur që në fillim të dhjetorit për gjetjet e inspektimeve të ndërtesave në Durrës.

Në vendimin e skarkimit firmosur më 20 dhjetor nga Dekani Neritan Shkodrani thuhej pa asnjë motivacion:

“Të shkarkohet nga detyra […] ky vendim hyn në fuqi menjëherë.”

Për këtë sindikata thotë se shkarkimi ka qenë jotransparent dhe i ardhur pas shprehjes së opinioneve të zotit Seranaj. Sindikata kujton se me Kushtetutë lejohet lirija e shprehjes dhe i ka drejtuar 4 kërkesa drejtuesit të FIN dhe UPT-së.

  1. Të bëhet sqarim më i detajuar për publikun mbi arsyet e shkarkimit të zv/dekanit të FIN
  2. Të sigurohen me fakte se kjo vendimmarrje nuk është ndikuar nga ndonjë kërkesë, apo presion jashtë universitetit
  3. Të siguroohet që kjo vendimmarrje nuk ka ardhur si rezultat i qëndrimeve personale, profesionale publike të zotit Seranaj, qëndrime që janë të mbrojtura me kushtetutë dhe ligje të tjera të vendit, qofshin ato dhe qëndrime që mund të bien ndesh me ato të qeverisë.
  4. Të shihen mundësitë ligjore të pezullimit të zbatimit të këtij vendimi deri në një informim më transparent.

Zoti Seranaj ka mohuar të ketë konflikte personale me drejtuesit e Universitetit, ndërsa përmes mediave ka këshilluar qytetarët që:

“Të mos lejojnë ndëryrje në objekte (të dëmtuara nga tërmeti) nëse nuk ka një leje të aprovua rnga shteti”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>