Trajneri i ri i Arsenalit i ka dhënë një mundësi më shumë Granit Xhakës që të qëndrojë në skuadër pavarësisht kontestimeve.
Mikel Arteta i emëruar së fundmi pas largimit të Unai Emery ka thënë për The Guardian se Xhaka bën pjesë në planet e tij të skuadrës.
Pas përplasjes me tifozët në ndeshjen me Crystal Palace, Xhaka humbi besimin e shumicës së ultrasve dhe po kështu edhe të trajnerit që vuajti pasojat për përzgjedhjen e tij si kapiten.
Mediat në Angli e konsideruan afër largimit Xhakën dhe me mundësi shpërnguljeje nga Londra që në janar.
Mirëpo duke folur për The Guardian, Arteta ka frenuar gjithçka duke i dhënë një tjetër mundësi mesfushorit me origjinë shqiptare që përfaqëson Zvicrën. Arteta është shprehur me admirim ndaj talentit të 27-vjeçarit dhe ka treguar se kishte kërkuar ta kishte në radhët e Manchester City-it kur ishte asistent i Pep Guardiolës.
“Isha shumë i lumtur kur Arsenal firmosi me Xhakën sepse e dija që ai ishte lojtar i frikshëm. Ai ka bërë gjëra me të vërtete të mira, por tani ndodhet në një situatë shumë të vështirë. I thash Xhakas se e admiroj shumë atë dhe çfarë pres prej tij dhe sa i rëndësishëm është ai për ekipin. Jemi këtu për ta ndihmuar atë, dua që ai ta kuptojë se ne jemi me të, jo vetëm unë por edhe i gjithë klubi. Nëse ne mund t’i sillemi në mënyrën e duhur me të, duke shtuar këtu edhe tifozët, un mendoj se në këtë mënyrë ai do të jetë i rëndësishëm për ekipin”.
Pas 18 javësh në Premier-League, Arsenali ndodhet në mes të tabelës në vendin e 11-të rreth 5 pikë larg vendit të 5-të që çon në kupat e Evropës dhe 26 pikë larg kryesuesve të kampionatit, Liverpoolit.
Granit Xhaka u transferua te Arsenali në vitin 2016 për 45 milionë euro. Më parë ka luajtur për Borussia Munchengladbach dhe Baselin.