Përmes një deklarate për shtyp të sekretarit për çështjet ligjore, Çlirim Gjata, PD, akuzoi sot Kryeministrin Edi Rama se i ka mundësuar sipërmarrëses Vilma Nushi 8,5 milionë euro të ardhura përmes koncesionit të chek up-it.
“Të dhënat zyrtare tregojnë se Edi Rama i ka dhuruar […] Vilma Nushit, 8,5 milionë euro përmes kontratës korruptive të koncesionit të check up-it.”
Koncesioni i check-up-it mbulon shërbimin e kontrollit shëndetësor, i cili u mundësohet qytetarëve pa pagesë direkte, pasi kostot i faturohen buxhetit.
PD e cilëson zonjën Nushi “financuese të fushatës elektorale të” zotit Rama dhe thotë se për 3 vitet e para, si kontraktore e koncesionit, ajo është paguar “për 580 mijë kontrolle të pakryera” kontrolle, të cilat demokratët thonë se i kushtuan buxhetit 8.5 milionë euro.
Prej kohësh opozita po akuzon qeverinë për abuzime me koncesionet. Për vitin 2020 ajo thotë se ka parashikuar në buxhet 150 milionë euro pagesa koncesionarëve. PD zotohet se kur t’i jepet mundësia qeverisëse do t’i anulojë të gjitha kontratat abuzive.