Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj ka mohuar akuzat e Partisë Demokratike se ka fshehur të shkuarën kriminale në formualin e vetëdeklarimit.
I pyetur nga gazetarët, Qerim Ismailaj tha se është i hapur për verifikime:
“Jam i hapur për çdo lloj verifikimi të mundshëm. Unë punoj si kryetar, kam dorëzuar formularin e dekriminalizimit. Nuk jam ndaluar nga policia greke, në asnjë rast të vetëm, absolutisht.”
Kryebashkiaku Ismailaj tha se ka shkuar në Greqi dhe dy javë më parë, për një gëzim familjar dhe nuk është ndaluar nga policia për të hyjë në shtetin grek.
Pas reagimit të kryebashkiakut të Mallakastrës, Sekretari i PD-së Gazment Bardhi deklaroi se PD-ja shumë shpejt do të publikojë dokumentet që vërtetojnë denoncimin kundër Ismailajt:
“Partia Demokratike po punon dhe shumë shpejt do të provojë për opinionin publik edhe zyrtarisht se [Qerim Ismailaj] ka të shkuar kriminale dhe se në bazë të ligjit të Dekriminalizimit nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik.”