Gjykata pushon çështjen për financimet e PD-së

Nga Exit News
Gjykata pushon çështjen për financimet e PD-së

Gjykata e Tiranës pushoi sot çështjen e Partisë Demokratike në lidhje me lobimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2017.

Në dalje nga gjykata, Eduart Halimi, në cilësinë e avokatit tha se vendimi i gjykatës “ishte për t’u përshëndetur pasi pas 2 vitesh i jepet fund një gjuetije shtrigash”.

“Vendimi i sotëm i gjykatës ishte vendim drejtësie. U provua pas më shumë se 2 vite hetime nga ana e prokurorisë, se gjithçka ishte akuzë tërësisht e sajuar, bazuar vetëm mbi spekulime, dhe u vërtetua katërcipërisht se nga 2 vjet hetime nuk kishte asnjë lidhje PD-së dhe nuk kishte asnjë vepër penale.

Nuk ishte shkelur asnjë ligj nga PD-ja dhe as nga zyrtarët e saj, as në Shqipëri dhe as në vend tjetër. U vërtetua katërciprisht se vepra penale nuk ekzistonte, fakti nuk ekziston, dhe vendimi i sotëm është një vendim për tu përshendetur. Pra, ishte një vendim drejtësie. Ky ishte një vendim që rrëzoi tërësisht gjithë akuzën, gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në territorin e prokurorisë dhe që u rrëzuan përfundimisht të gjitha akuzat ndaj PD-së”.

Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Lazër Sallaku. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u përfaqësua nga Ivi Kaso dhe Eduart Halimi.

Në qershor 2019, prokuroria ngriti akuzat “falsifikim të formularëve” dhe “kryerjen e veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi” ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe ekonomistit të PD-së Ilir Dervishi.

Në nëntor 2019, prokurorët e çështjes vendosën të rrëzojnë akuzën për mosdeklarim të të ardhurave dhe kanë dërguar për gjykim vetëm për  falsifikimin e formularëve. Hetimet u kryen nga prokurorët Gjergj Tako, Ervin Karanxha dhe Kol Hysenaj.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi se vetëm dy nga tre prokurorët e çështjes e kanë firmosur dosjen për në gjykatë, ndërsa prokurori Hysenaj nuk firmosi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>