Investigimi i ‘Boom’ – Mensat sociale të Bashkisë Tiranë shërbime me burokraci

Nga Exit News
Investigimi i ‘Boom’ – Mensat sociale të Bashkisë Tiranë shërbime me burokraci

Emisioni investigativ “Boom” në RTV Ora ka nxjerrë në pah burokracitë që hasin të pahstrehët për të përfituar shërbim në mensat sociale në Tiranë.

Në kronikën e publikuar në emisionin e së martës, gazetarët e Boom-it kanë provuar të marrin shërbim në një mensë sociale të Bashkisë Tiranë përmes një bashkëpunëtori të tyre. Por personit të angazhuar nga emisioni iu refuzua shërbimi.

Punonjës të mensës nuk i lejuan të konsumonin një vakt ushqim pa pasur më parë emrin në regjistrat e qendrës.

Në vitin 2016, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj deklaroi se asnjë qytetar në nevojë nuk do ta kalonte ditën pa një vakt.

“Ajo që na dallon nga qytetet e tjera, nuk besoj se është asfalti ndërtimet dhe infrastruktura por është njerzillëku dhe fakti që bëjmë për njëri-tjetrin dhe rrëzohemi bashkë. Ne duhet të vazhdojmë me këtë skemë të mensave sociale dhe në disa zona të tjera të Tiranës për tu siguruar që në një qytet të mirë dhe solidar askush nuk do gdhihet dhe ngryset pa një vakt të ngrohtë.”

Por hulumtimi i emisionit “Boom” tregon se qytetarët në nevojë nuk e përfitojnë vaktin e premtuar pa u sorollatur për dokumente dhe pa plotësuar plot procedura.

Një punonjëse e qendrës sociale i komunikon bashkëpunëtorit të emisionit Boom se “ka një mori procedurash, duhet të plotësohet një dosje e tërë”.

Si fillim bëhet një kërkesë në qendrën sociale. Qendra sociale ngre komision me punonjës socialë për të vlerësuar rastin nëse është familje apo thjesht individ në rast nevoje.

Krahas kësaj procedure nevojitet mjet identifikimi, vërtetim mjekësor për gjendjen shëndetësore, vërtetim për statusin e banimit dhe vërtetim nëse merr apo jo ndihmë ekonomike.

Të gjitha këto procedura janë problem më vete për nevojtarët që nuk mundet të sigurojnë dot as ushqim.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>