PD shpluhuros deklaratën e KSBE-së, të nënshkruar edhe nga Bashkimi Sovjetik, për të justifikuar qeveri teknike me PS-në

Nga Neritan Sejamini
PD shpluhuros deklaratën e KSBE-së, të nënshkruar edhe nga Bashkimi Sovjetik, për të justifikuar qeveri teknike me PS-në

Partia Demokratike po e thellon retorikën justifikuese për krijimin e një qeverie teknike, ngritur në bashkëpunim me Partinë Socialiste, para zgjedhjeve të ardhshme.

Kjo retorikë u shpalos edhe dje. PD shpërndau në media një kalendar, të dakordësuar me PS-në, për diskutimin e çështjeve kryesore të reformës zgjedhore, shoqëruar me dy vlerësime të shkurtra se çfarë mund e çfarë nuk mund të arrijë reforma zgjedhore.

Nga teksti i dokumentit kuptohen dy gjëra. E para se nuk do të ndryshohet asgjë thelbësore: nuk do të ndryshojë sistemi zgjedhor, nuk do të ketë votim elektronik, nuk do të reformohet financimi i partive, nuk do të lehtësohen referendumet. Reforma do të përqendrohet në çështje teknike e administrative.

Mosndryshimi është justifikuar me arsyen se “disa çështje [zgjedhore] mund të kërkojnë më shumë kohë, si çështja e referendumeve dhe ligji për financimin e partive politike apo mund të prekin kushtetutën dhe kërkojnë një debat më të gjerë apo rrugë miratimi tjetër”.

Mungesa e ndryshimeve thelbësore të krijon idenë se PD është përfshirë në reformë, jo për të reformuar sistemin, por për ta përdorur atë si një justifikim të ri për kërkesën e vjetër për qeveri teknike për administrimin e zgjedhjeve.

Pikërisht, kjo është gjëja e dytë që nënkuptohet nga dokumenti i mësipërm. Një paragraf i tij, i theksuar nga pjesa tjetër e dokumentit me të zezë, shprehet:

Parakusht që këto masa të jenë efikase, është krijimi i një fushe loje të barabartë nëpërmjet zbatimit të plotë të parimit të “ndarjes së shtetit nga partitë politike” në përputhje me Angazhimin e OSBE-së të parashikuar nga paragrafi 5.4 i Dokumentit të Kopenhagenit.

Pohimi mund të përkthehet në shqipe të thjeshtë: reforma zgjedhore nuk mund të zbatohet nga një qeveri partiake e Partisë Socialiste, prandaj duhet të krijohet një qeveri jopartiake.

Këtë kërkesë, tani PD po e justifikon me një nga parimet e deklaratës së Kopenhagenit të ish-Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (KSBE), pararendësja e OSBE-së së sotme.

Deklarata e KSBE-së, e qershorit 1990, u nënshkrua nga një sërë vendesh demokratike perëndimore, por edhe nga Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia dhe vende të tjera të Europës Lindore ende nën komunizëm apo të sapo dala prej tij.

Deklarata e Kopehagenit ishte arritje e madhe për vlerat perëndimore, pasi i shpalli ato si parime universale të pranuara edhe nga bota komuniste, veçanërisht parimin e zgjedhjeve të lira dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, përfshi të drejtat e minoriteteve.

Një nga parimet e përmendura në deklaratë është ai që citon PD, “ndarja e partive politike nga shteti”, që nënkuptonte heqjen e monopolit të kontrollit të partive (komuniste) mbi shtetin dhe qeverisjen në vendet e atëhershme komuniste.

Dje, PD e ka risjellë në vëmendje këtë parim. Ndonëse mund të thuhet se ai është përmbushur qysh kur u sanksionua pluralizmi dhe organizimi demokratik kushtetues në Shqipëri, sigurisht ka vend të flitet për uljen e rolit të partive në disa institucione që ende administrohen mbi baza partiake.

Për shembull, është e domosdoshme që në Shqipëri zgjedhjet të administrohen në mënyrë të pavarur dhe profesionale—30 vjet pas komunizmit, Shqipëria mbetet një rast i rrallë në Europë ku zgjedhjet i administrojnë komisione partiake.

Po ashtu. është e domosdoshme që administrata publike të mos jetë zyrë punësimi për militantët partiakë, por trupë profesioniste dhe moderne. Edhe pse punësimet partiake janë të ndaluara me ligj, partitë shqiptare kanë shpikur një arsenal makinacionesh për ta mbushur administratën me militantët e tyre sa herë që vinë në pushtet—kjo është një nga arsyet e korrupsionit dhe keqqeverisjes së vendit.

Por PD nuk ka parasysh këto reforma departizimi kur evokon parimin e “ndarjes së partive politike nga shteti”.

Përkundrazi, PD është shprehur kundër administrimit jopartiak të zgjedhjeve, të cilin e ka propozuar për përfitimet e saj PS-ja. (Ky synim mund të jetë arsyeja pse PS ka rënë dakord për të permendur parimin e Kopenhagenit në dokumentin e dakordësuar me PD-në).

PD nuk është as kundër punësimeve partiake në administratën publike—jo vetëm sepse ka nevojë politike të shpërblejë militantët e saj, por edhe sepse, pa garancinë e punësimeve partiake, nuk mund të sigurojë dot aleanca zgjedhore.

Pra, PD është kundër “ndarjes së partive politike nga shteti” në ato institucione ku kjo gjë është domosdoshmëri.

Atëherë, pse po e evokon ajo këtë parim të hershëm të KSBE-së? Mund të ketë një shpjegim pragmatik për këtë.

Sikurse e ka artikuluar edhe në publik, PD tashmë ka kërkuar, si pjesë të reformës zgjedhore, krijimin në marrëveshje me shumicën socialiste, të një qeverie teknike për administrimin e zgjedhjeve.

Duket se përkundër përvojës, PD vazhdon të besojë, në mënyrë të pakuptueshme, se një qeveri e tillë teknike, kalimtare apo kujdestare do të mund të garantojë mosvjedhjen e zgjedhjeve nga Edi Rama.

Por PD di, gjithashtu, se kjo ide mund të mos pritet mirë nga publiku, veçanërisht elektorati gri, prandaj ajo po kërkon t’i japë zgjedhjes së saj baza parimore.

Për këtë qëllim duket se ajo shpluhurosi, dje, Deklaratën e KSBE-së të vitit 1990.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>