PD, tjetër raport ndërkombëtar evidenton korrupsionin në Shqipëri

Nga Exit News
PD, tjetër raport ndërkombëtar evidenton korrupsionin në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha fajësoi qeverinë për rezultatin e radhës negativ të Shqipërisë në raportet ndërkombëtare.

Përmes dy postimesh në Twitter, Basha tha se korrupsioni dhe mungesa e shtetit të së drejtës po ndikojnë që të rinjtë të braktisin vendin. Duke treguar rezultatet e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve ku Shqipëria ishte renditur e 76-ta, Basha tha se ky ishte raporti i 10-të në të cilin evidentohet korrupsioni i qeverisë.

“Global Talent Competitiveness Index 2020, është i dhjeti raport që evidenton korrupsionin e qeverisë si problem për shoqërinë shqiptare. Vendi ynë po zbrazet dhe po braktiset nga të rinjtë dhe të shkolluarit, sepse ka papunësinë, varfërinë dhe korrupsionin më të lartë në Europë”.

Kryetari i PD-së u shpreh më tej se vendi e ka të gjithë potencialin për mirëqenie dhe zhvillim dhe se “opozita ka propozuar masa emergjente për çlirimin e ekonomisë me ligjet anti-mafia dhe anti-oligarki që tregu i lirë të funksionojë për të gjithë”.

Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Talenteve u përpilua për herë të parë në 2013. Ai është një raport vjetor që mat aftësinë e vendeve për t’u dhënë garanci konkurrencës së të rinjve me talent.

Në këtë raport Shqipëria renditet e 76-ta, pas Mongolisë. Ajo lë prapa vetëm Maqedoninë e Veriut (89), ndërsa nga rajoni Mali i Zi dhe Serbia renditen më lart, në vendin e 53-të dhe 58-të.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>