Kryeministri Rama u takua sot me Kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, gjatë Konferencës për Siguri në Mynih të Gjermanisë.
Kryeministri kanadez Trudeau ngushëlloi popullin shqiptar për fatkeqësinë e tërmetit. Ai tha se Kanadaja do të marrë pjesë në konferencën e Donatorëve, që do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt:
“Më jep mundësinë të shpreh ngushëllimet e mia për tërmetin e tmerrshëm, për të cilin folëm kur ishim në NATO. Kanadaja është angazhuar për të marrë pjesë në konferencën e Rindërtimit në shkurt”.
Ai falenderoi bashkëpunimin mes forcave kanadeze dhe shqiptare në misonet e NATO-së, ne veçanti në misionin e NATO-së në Letoni.
“Kemi punuar shumë mirë bashkë në misionet e NATO-së. Shqiptarët po kryejnë shërbimin në krah të Kanadasë në Letoni”.
Kryeministri Edi Rama e falenderoi kryeministrin Trudeau për gadishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit të nëntorit:
“Jam shumë mirënjohës dhe e vlerësoj takimin me ju. Ju jeni kryeministri i shumë shqiptarëve që jentojnë në Kanada.
Doja t’ju shprehja mirënjohjen që treguat ndjeshmëri për ato që na ndodhën kohët e fundit. Mirënjohës që do të jeni në konferencë”.
Në Konferencën për Sigurinë, në Mynih marrin pjesë 35 drejtues shtetesh dhe 500 politikanë, zyrtarë e punonjës të fushës së sigurisë. Konferenca do të zgjasë tre ditë, fillon sot dhe mbaron ditën e djelë.
I pranishëm në Konferencë pritet të jetë edhe Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, Presidenti francez Emmanuel Macron, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së Jens Stoltenberg. Ndërsa Kancelarja Merkel nuk do të marrë pjesë, Gjermania do të përfaqësohet nga Ministri i Jashtëm Heiko Mass.
Çështjet kryesore që do të diskutohen janë gjendja në Libi dhe Jemen, si dhe konflikti SHBA-Iran.