Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) kërkoi sot miratimin e gjykatës për sekuestrimin e 8 pronave të Lulzim Berishës dhe personave të akuzuar për rrëmbimin e Jan Prengës, të prekur nga paketa anti-krim e qeverisë.
Këto pasuri u sekuestruan nga Operacioni Forca e Ligjit në fillim të shkurtit në mënyrë emergjente, por tani SPAK ka kërkuar nga gjykata miratimin e sekuestros për:
– Banesë tre katëshe në Shkodër në pronësi të Artan Doçit;
– Banesë dy katëshe në pronësi të Artan Doçit;
– Banesë dy katëshe plus papafinngo në pronësi të Martin Bletës;
– Automjet BMW i blinduar në pronësi të Lulzim Berishës;
– Banesë dy katëshe me njësi shërbimi në pronësi të M.D;
– Tokë arë me sipërfaqe 1541 metër katrorë dhe truall me sipërfaqe 350 metër katrorë në pronësi të M.D në Shkodër.
Deri më tani policia ka dërguar në SPAK, 24 dosje pjesë e Operacionit Forca e Ligjit, ndërsa rezultojnë të sekuestruara rreth 30 automjete luksoze dhe të blinduara të cilat po i nënshtrohen vlerësimit nga SPAK.