Nesër më 23 shkurt, në Durrës do të zhvillohet maratona ‘Një hap për Durrësin’, si një mundësi për çdokënd që dëshiron të kontribuojë për të rregulluar shkollën e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit në Sukth.
Kjo maratonë është nismë e sportistes durrsake Deborah Keçi e cila i ka bërë apel qytetarëve t’i bashkohen maratonës me synimin për t’i kthyer qytetit gjallërinë e humbur nga tërmeti i 26 nëntorit.
E ftuar në studion e Euronews, Deborah ka thënë se dëshiron që përmes maratonës të grumbullojë kontribute për rikonstruktimin e shkollës “Njazi Mastori” në Sukth, por që më së shumti dëshiron që maratona të ndikojë për mirë në atmosferën e qytetit.
“Prej shumë kohësh kisha dëshirë të realizoja një aktivitet sportiv për qytetin tim […] ky qytet që më ka formuar dhe më ka bërë një vajzë të fortë dhe një vajzë që këmbëngul dhe që i vë qëllime vetes, duke punuar fort për t’i arritur ato. Tani është koha që t’ia kthej pas këtë dhuratë.”
Maratona do të ketë një distancë prej 5 kilometrash, ku do të përshkruhen disa nga pikat kryesore të njohura të qytetit të Durrësit.
Ajo do të fillojë në 9:30 në sheshin Liria, ku do të bëhet dhe ceremonia e hapjes pranë Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”.
Çdo garues duhet të paguajë 10 euro për të marrë pjesë, ndërsa më shumë informacion për maratonën mund të lexoni këtu.
Pas maratonës, do të zhvillohet dhe një koncert me muzikë live.