Qeveria do të ashpërsojë masat për shkeljet më të shpeshta në drejtimin dhe qarkullimin e makinave.
Kryeministri Rama, Ministri i Brendshëm Lleshaj, Ministrja e Infrastrukturës Balluku dhe Drejtori i Policisë Veliu prezantuan në një konferencë propozimet.
Masat që propozohen:
Abuzimi me alkoolin – Drejtimi i makinës në gjendje të dehur ndëshkohet me gjobë 10 000 – 20 000 lekë dhe pezullim patente deri në 6 muaj (0.3 g/l deri në 0.5 g/l). Drejtimi në gjendje të dehur ndëshkohet me gjobë 20 000 – 40 000 lekë dhe pezullim patente deri në 2 vjet (0.8 g/l deri në 1.5 g/l). Drejtimi në gjendje të dehur në oraret nga ora 19:00 – 06:00 ndëshkohet me gjobë 30 për qind gjobë më të lartë. Kur shkaktohet aksident nga përdorimi i alkoolit (më shumë se 1.5 g/l) hiqet patenta.
Parakalimi i gabuar – Gjobë 5 000 – 10 000 lekë (ishte 1 000 – 3 000 lekë). Kur shkelja përsëritet 2 herë brenda vitit dyfishohet gjoba dhe pezullohet patenta për 1 muaj.
Celulari në timon – Gjobë 5 000 lekë nëse drejtohet makina me celularë në dorë, 10 000 lekë nëse drejtohet duke folur dhe 15 000 lekë nëse drejtohet duke shkruar mesazhe. Kur shkelja përsëritet 3 herë brenda vitit, dyfishohet gjoba, pezullohet patenta për 3 muaj dhe hiqen 10 pikë.
Sjellja agresive – Kur ushtrohet presion me dritat apo kur nuk ruhet distanca e sigurisë duke rrezikuar kalimtarët ndëshkohet me gjobë 10 000 – 20 000 lekë dhe 5 pikë heqje patentës.
Shkelja e përparësisë – Gjobë nga 5000 – 8000 lekë (ishte 1000-3000 lekë). Përsëritja 2 herë brenda vitit sjell pezullim të patentës nga 6-12 muaj. Hiqen 5 pikë nga patenta.
Rripi i sigurimit – Gjobë 1000 – 3000 lekë, kur ka edhe pasagjerë pa rrip.
Këshillimi – Policia mund të këshillojë për shkelje pa gjobitur, kjo do të shënohet në sistem. Në rast ripërsëritjeje të shkeljes brenda 1 viti vendoset ndëshkimi maksimal i parashikuar për shkeljen e bërë.
Motorët – Drejtimi i motorit pa kaskë gjobitet me 1 000 deri në 3 000 lekë. Natën duhet detyrimisht të mbahet jelek fosforeshent.
Ashpërsimi i masave do të bëhet me rishikim të kodit të qarkullimit rrugor. Ministria ka propozuar që në rast ripërsëritje të shkeljeve policia të kërkojë edhe kryerjen e një testi psikologjik, të cilin Lleshaj preferon ta quajë testi i idjotit.
Propozimet bëhen në kuadër të nismës që qeveria po ndërmerr sipas të ashtuquajturit “viti i sigurisë rrugore“.