Ishte maji i vitit 1991. Prej gjashtë muajsh, Shqipëria kishte lënë pas regjimin diktatorial 45-vjeçar sepse më datë 11 dhjetor 1990, u shpall pluralizmi politik. Ishte themeluar partia e parë opozitare Partia Demokratike dhe vendi kishte zhvilluar zgjedhjet e para në një sistem pluralist. Në atë kohë, Perëndimi po e mbështeste Shqipërinë në zhvillimet demokratike, por edhe me ndihma humanitare.
Qindra organizata ndërkombëtare kishin mbërritur në Shqipëri për të ndihmuar qytetarët shqiptarë në varfëri ekstreme. Po ndihmoheshin me projekte të OKB-së ndërkohë që kishte organizata që ishin organizuar me ndihma për komunitete të caktuara siç ishte rasti i të përndjekurve politikë. Kryqi i Kuq Italian ishte një ndër organizatat që ndihmoi të burgosurit dhe të internuarit politikë dhe familjarët e tyre.
Një nga vendet ku ata e përqendruan ndihmën e tyre ishte edhe fshati Shtyllas në Fier, atje ku kishte qindra familje të internuara gjatë regjimit komunist, e nga ku ende nuk ishin larguar.
Grupi i aktivistëve të Kryqit të Kuq kishte sjellë atje një sasi të caktuar me ndihma dedikuar vetëm familjeve të internuara. Por italianët e Kryqit të Kuq, u surprizuan nga kërkesa që morën nga të internuarit e Shtyllasit. Ata kishin kërkuar që sasia e ndihmave humanitare të ndahen në mënyrë të barabartë me familjet e tjera të fshatit që nuk ishin të internuar.
Ashtu ndodhi, Kryqi i Kuq e shpërndau sasinë e ndihmave për të gjithë fshatin për t’u kthyer shumë shpejt brenda pak ditësh për të kompensuar gjithashtu të gjithë fshatin me ndihma humanitare që do shërbenin për të kapërcyer krizën, së paku për ushqime bazë, veshje dhe higjienë.
Është një ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për Shtyllasin, por për të gjithë Shqipërinë, një ngjarje që tregoi se ata njerëz që kishin jetuar ferrin e diktaturës, kishin sakrifikuar rininë, jetën e tyre dhe të fëmijëve, dilnin nga ai sistem pa mllefe e inate dhe me ndjesinë e solidaritetit për bashkëfshatarët e tyre. Ndoshta edhe sepse shumica e fshatarëve të Shtyllasit, i kishin ndihmuar me sa kishin mundur gjatë regjimit diktatorial.
Pa dyshim që kishte në atë fshat edhe militantë të regjimit që i kishin përbuzur e persekutuar, i kishin nëpërkëmbur e spiunuar duke iu shtuar vite burgu e internimi, por përfaqësuesit e familjeve të internuara në Shtyllas nuk ndanë asnjë familje dhe të gjithë përfituan njësoj ndihma humanitare për të mbijetuar në ato ditë të vështira për Shqipërinë. Është mesazhi më njerëzor që mbërriti asokohe deri në sallën e parlamentit të Shqipërisë. E ka rrëfyer në sallën e kuvendit, një deputet i PPSH-së së vitit 1991, quhej Faik Memushi.
“Populli manifeston virtytet humanitare të trashëguara edhe në këto ditë të vështira, kur populli ynë i mrekullueshëm shpreh dashurinë, maturinë dhe pjekurinë për njëri-tjetrin, siç është edhe rasti i shumë familjeve të të dënuarve dhe të përndjekurve politikë në fshatin Shtyllas të zonës sime që ndihmat humanitare i shpërndanë pa asnjë dallim në të gjithë popullin”, shprehej Memushi në një seancë parlamentare në maj të vitit 1991, kur po diskutohej për krizën politike dhe ekonomike që kishte përfshinë Shqipërinë në ato fillime të demokracisë.
Në kampin e Shtyllasit në Fier, vuajtën internimet rreth 300 familje. Rënia e regjimit komunist gjeti atje në Shtyllas duke vuajtur dënimin, disa nga familjet më të njohura në Shqipëri, si familja Ndreu një ndër fiset më të persekutuara nga regjimi komunist. Nga Korça, familja Bazelli, Kapa, Baruti; nga Puka familja Miraka; nga Shkodra familja Prenk Marku, e Brahim Hasanit e Kol Kuritit; nga Dibra, familja e Halil Nuzit, familja Papjani; nga Fieri, Heqimi, Shani; nga Vlora Servet Peshkëpia, Haki Shehu, Rexhep Muka, Ali Birçja; nga Skrapari familja Lamçe e Hoxha, familja Vernozi, e shumë të tjera. Gjatë vitit 1991, ata u larguan kryesisht në emigracion apo edhe në shtëpitë e tyre, nga ku i kishin dëbuar për 45 vjet.
Shënim: Deklarata e deputetit Faik Memushi është marrë nga arkiva e Parlamentit, punime të seancave parlamentare
The post Të internuarit fisnikë të Shtyllasit, ndanë ndihmat humanitare me bashkëfshatarët komunistë appeared first on https://kujto.al/gjesti-fisnik-i-te-internuarve-ne-kampin-shtyllas/