Vazhdon paqartësia në lidhje me fillimin e dyndjes së refugjatëve sirianë në Shqipëri

Nga Exit News
Vazhdon paqartësia në lidhje me fillimin e dyndjes së refugjatëve sirianë në Shqipëri

Të shtunën në disa media të vendit qarkulloi lajmi ende i pakonfirmuar se rreth 50 refugjatë sirianë kanë hyrë në Shqipëri nga Greqia, dy ditët e fundit, dhe janë strehuar në qendrën e pritjes për refugjatë në fshatin Gerhot të Gjirokastrës.

Ministria e Brendshme nuk e ka komentuar këtë pretendim. Gjatë ditës së sotme, Exit News u përpoq ta konfirmojë lajmin me autoritetet, por nuk mori përgjigje as nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe as nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit.

I vetmi institucion që iu përgjigj telefonatave të Exit News ishte Stacioni i Policisë në Gjirokastër, punonjësit e së cilit pohuan se nuk kanë asnjë informacion për ardhjen e 50 refugjatëve sirianë.

Gjatë vitit të fundit në Shqipëri kanë hyrë qindra refugjatë sirianë në Shqipëri, të ardhur në rrugë tokësore me qëllimin kalimin në Evropën perëndimore.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit (DKM) në periudhën janar-shkurt 2020, të paktën 315 persona kanë tentuar të hyjnë ilegalisht në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës, por janë kapur nga policia. 40 prej tyre kanë qenë nga Siria, Pakistani dhe Algjeria.

Mbi 10 mijë emigrantë ilegalë janë ndaluar të hyjnë në Shqipëri, gjatë vitit 2019, sipas të dhënave zyrtare të DKM-së. Ky numër është 2 herë më i lartë krahasuar me vitin 2018, kur 5 mijë emigrant ilegalë u kapën teksa tentonin të hynin në Shqipëri.

Megjithatë duket se situate ka ndryshuar me dyndjen e refugjatëve sirianë në kufijtë grekë, pas vendimit të President turk Erdogan për të hapur dyert e tyre për t’u larguar nga Turqia. Dhjetëra mijëra kanë ngecur në zonën midis Turqisë dhe Greqisë duke ngritur alarm në të gjithë BE-në, por edhe në Shqipëri.

Qeveria shqiptare ka marrë masa për pritjen dhe strehimin për rreth 30 mijë refugjatë sirianë që mund të kalojnë në Shqipëri nga Greqia, pas krizës së refugjatëve kryesisht sirianë, që kjo e fundit po kalon.

Sipas burimeve të Exit News, në Shqipëri refugjatët do të priten dhe strehohen përkohësisht, ndonëse nuk ka asnjë vendim zyrtar që Shqipëria do të pranojë refugjatët.

Kampet që qeveria po bën gati janë:

— Në Gjirokastër, në fshatin Arshi Lengo, me kapacitet strehues 5 mijë persona;

— Në Korçë, në fshatin Poçest dhe në fshatin Floq, për 5 mijë persona;

— Në Sarandë, në fshatin Krane, me kapacitet 1 mijë përsona;

— Në Lezhë, në zonën e Gjadrit me kapacitet 5 mijë persona;

— Në Elbasan, në fshatin Mjekës, në Krastë dhe Zaranikë me kapacitet 5-10 mijë persona.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>