Partia Demokratike akuzoi sot Ministrinë e Shëndetësisë se ka shpërndarë tek mjekët maska kirurgjikale të skaduara, duke vënë në rrezik jetën e mjekëve.
Në një deklaratë për median, Gazment Bardhi, Albana Vokshi dhe Bardh Spahia sqaruan se që më 28 shkurt kanë marrë denoncime nga mjekët se maskat kirurgjikale që i janë shpërndarë si pjesë e masave kundër koronavirusit, i kanë shkaktuar irritime në fytyre, madje në disa raste dhe probleme me frymëmarrjen.
Pas denoncimeve, përfaqësuesit e PD-së kanë verifikuar kutitë e maskave të shpërndara nëpër spitale dhe kanë parë që data e skadencës së tyre ishte 20 dhjetor 2011.
Gazment Bardhi deklaroi:
“Këto kutia të maskave, kanë një pullë që ka bllokuar datën e skandencave të këtyre maskave. Nëse e heq pullën shikon se data e skandencës është 20 dhjetor 2011.
Ministria e shëndetësisë është përfshirë në një akt kriminal. Këto janë mbetje mjekësore por mbetje. Nga këto maska mjekëve u rrezikohet shëndeti i tyre.”
Zoti Bardhi, në emër të opozitës, i kërkoi prokurorisë të nisë sa më parë hetimet për këtë ngjarje që vë në rrezik jetën dhe punën e mjekëve në këto momente delicate për vendin.
Disa ditë më parë, Ministrja Manastirliu njoftoi se ministria ka shpërndarë 1 milionë e 200 mijë maska kirurgjikale në spitalet e vendit.