Sikur dhjetoristat dhe shkurtistat të ishin heronj

Nga Neritan Sejamini
Sikur dhjetoristat dhe shkurtistat të ishin heronj

Ad Xhindi ishte ndër studentët më të mirë të brezit tonë të fizikës. Ishte i prerë për konceptet abstrakte dhe shkencat teorike.

Ad Xhindi ishte edhe njeri trim e kokëshkretë. Ishte ndër të paktët studentë të asaj kohe që kishte urrejtje të fortë e burrërore kundër regjimit.

Ishte gjëja më e natyrshme që ai u vu, që çastin e parë, në krye të protestës studentore të dhjetorit 1990. Aktiv dhe i zjarrtë ra menjëherë në sy të oficerëve të sigurimit, të cilët e “rrëmbyen” nga turma, bashkë me 3-4 të tjerë, ditën e dytë të protestës në krah të Liceut Artistik. I sfidoi dhe talli hetuesit që e morën në pyetje — kur e pyetën ku kishte lindur, me qetësinë më të madhe i informoi sigurimsat se kishte lindur në maternitet. E lëshuan pas pak orësh dhe u kthye menjëherë në krye të protestuesve.

Gjatë grevës së urisë, Adi na bënte të betoheshim që nuk do dilnim nga greva sado që të zgjaste.

Pak javë pas grevës, i hipi anijes për në Itali. Jeton atje që atëhere. Punon, qysh kur nuk mbahet mend, kamionist rrugëve të Italisë.

Vjen në Shqipëri kur mundet. E dashuron Vlorën dhe kur të plaket do që të vijë të pleqërojë në Vlorë.

Nuk ka folur kurrë më për dhjetorin apo për shkurtin.

Si ai nuk kanë folur shumë të tjerë.

Nuk foli kurrë Turi, që vdiq para ca vjetësh në një aksident automobilistik në Greqi, ku shpërndante pica. Nuk ka folur Niko, një ndër figurat kryesore të dhjetorit, që migroi në Amerikë dhe tani nuk e di askush se ku është. Nuk ka folur Gazi që mbasi u end shumë vite Greqisë e Italisë, tani bën infermierin në Florida dhe mendon ende se mund të realizojë ëndrrën që të bëhet mjek një ditë.

Nuk ka folur Turi tjetër, të cilin e mbanim për gjeni matematike, por që tani është mësues i thjeshtë në Korçë. Nuk ka folur Arjani, i cili çdo mëngjes të 8 dhjetorit nuk harron kurrë të na dërgojë mesazh urimi me vetëironi e tallje për kontributin tonë për “demokracinë” që gëzon atdheu.

Ndërkohë, elita e Tiranës organizon ceremoni pompoze çdo dhjetor e çdo shkurt. Në to dalin në paradë “heronjtë” e zakonshëm dhjetoriste dhe shkurtiste. Ata japin intervista, bëjnë deklarata, pozojnë, idealizojnë, flasin për liri e për demokraci. Çdo vit, dy herë në vit.

Sikur këta “heronj” dhjetorista e shkurtista të kishin qenë vërtet heronj, Shqipëria nuk do ishte kredhur në autokraci, keqqeverisje dhe korrupsion këto 25 vjet.

Sepse trimat që nuk u trembën as nga Enveri e as nga diktatura më e egër në Europë, nuk kishin si të trembeshin nga Berisha, Nano apo Rama.

(Dy kryeministrat e tjerë, Ilir Meta e Pandeli Majko, janë vetë “heronj” idealista, dhjetorista e shkurtista.)

E ndërsa elita e dhjetorit dhe e shkurtit flet nga tribunat e sallave dhe televizioneve, Ad Xhindi nget kamionin e tij, të vetmuar, rrugëve të Italisë.

Bjeri një herë borisë në këtë ditë, Adi. Ulërima e saj është më e sinqertë dhe më e lirë se kori i “heronjve” të Tiranës.

 

Artikuj të lidhur:

12 fakte për Dhjetorin 1990

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>