Portieri Keylor Navas, i Paris Saint Germain (PSG) pagoi 200 mijë dollarë për t’u kthyer në atdhe. Me largimin ai ka thyer masat e vendosura nga qeveria franceze, e cila ndalonte lëvizjet dhe po kështu udhëtimet e paplanifikuara më parë.
Nën frikën e përhapjes gjithmonë e më shumë të pandemisë së koronavirusit në Francë, futbollisti i njohur nga Kosta Rika, ka marrë bashkëshorten dhe 3 fëmijët dhe mbrëmjen e 27 marsit është nisur për në vendlindje.
Burime për ESPN bënë me dije se Navas ka paguar 200 mijë dollarë për një fluturim privat prej rreth 18 orësh direkt nga Parisi në San José të Kosta Rikës.
Më herët, në një intervistë radiofonike, 33-vjeçari ishte shprehur me frikë për jetën e të afërmve të tij për shkak të përhapjes së shpejtë të virusit në Francë,
Në Kosta Rika, familja Navas është vënë prej së premtes në karantinë 14 ditore.
Në Francë janë infektuar rreth 38 mijë persona, prej të cilëve 2 400 kanë vdekur, ndërsa në Kosta Rika –që ka rreth 5 milionë banorë – aktualisht prej koronavirusit janë infektuar rreth 300 persona, prej të cilëve vetëm 2 kanë vdekur.
Navas është ndër të fundit lojtarë që largohen nga Parisi me destinacion vendlindjen.
Më herët janë larguar grupi i brazilianëve mes të cilëve Thiago Silva e Neymar. Po kështu edhe Edinson Cavani është larguar në Uruguai.